Besar Ademi
15 Nëntor 2017•Përditësim: 15 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Maqedonisë për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) u nënshkrua Memorandum për bashkëpunim mes komisionit dhe organizatës joqeveritare “Transparency International – Maqedoni”, me anë të të cilët do të ndiqet puna e KSHPK-së dhe do të kontribuojë që institucioni të jetë më transparent për publikun, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Igor Tanturovski, tha se nënshkrimi i marrëveshjes është një nga detyrat e institucionit që drejton ai, siç tha ai, ndër të cilat edhe bashkëpunimi me sektorin joqeveritar.
“Me Transparency International ne deri tani kemi pasur bashkëpunim të mirë, por tani zyrtarizuam diçka që tashmë jemi duke punuar”, u shpreh Tanturovski, duke shtuar se bashkëpunimi i këtillë do të kontribuojë që ky institucion shtetëror të jetë më transparent.
Ndërkaq, kryetarja e International Transparency – Maqedoni, Slagjana Taseva, tha se: “Transparency International dhe Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit në komunikimet e tyre të rregullta mbi atë se çfarë duhet bërë për përmirësimin e punës së këtij institucioni shtetëror, erdhën në përfundim se përveç memorandumit të përgjithshëm të bashkëpunimit që komisioni ka me organizatat joqeveritare, është e nevojshme të nënshkruhet një memorandum i veçantë për aktivitete të përbashkëta”.
Nënshkrimi i këtij memorandumi është pjesë e aktiviteteve për zbatimin e projektit “Përforcimi i sistemit nacional i integritetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë dhe ndjekja e zhvillimit të reformave të anti-korrupsionit”. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni.