Adel Ömeragiç
25 Tetor 2017•Përditësim: 25 Tetor 2017
PODGORICË (AA) - Në rendin e ditës të seancës së Kuvendit të Malit të Zi sot është "ora e kryeministrit", në kuadër të së cilës Kryeministri i vendit, Dushko Markoviç, do t'iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Përveç përfaqësuesve të koalicionit qeverisës në Parlament sot të pranishëm do të jenë edhe deputetët e Frontit Demokratik dhe kështu do ti japin fund bojkotit parlamentar, raporton Anadolu Agency (AA).
Bojkoti i parlamentit nga opozita malazeze zgjati nga 7 nëntori i vitit 2016, kur u formua përbërja e re parlamentare. Opozita kishte vendosur për bojkot të parlamentit për shkak se konsideronte se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 16 tetor 2016 "nuk ishin të lira dhe demokratike."
Deputetët e FD-së sot kthehen në "orën e kryeministrit", për të bërë pyetje në lidhje me gjykimin e deputetit të FD, Milan Knezheviç, i cili u dënua me shtatë muaj burg, pasi më 17 tetor 2015, ka sulmuar fizikisht oficerin e policisë Milan Markoviç para Kuvendit.
Përveç deputetëve të FD, ndërprerjen e bojkotit të opozitës do ta mbështes edhe deputeti i pavarur Aleksandar Damjanoviç.
Ndërsa Partia Social Demokratike (SDP), Mali i Zi Demokratik, Demos, URA dhe Partia Socialiste Popullore (SNP) do të vazhdojnë të bojkotojnë seancat e Parlamentit të Malit të Zi.
Më 28 prill, SDP u kthye shkurtimisht në Parlament për të mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.