Fatjon Cuka
14 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se do të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas përplasjeve midis Kryeministrisë së Shqipërisë dhe Presidencës së Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rama në rrjetet sociale ka njoftuar se “de jure” do të jetë në këtë post, pas refuzimit nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, për të dekretuar propozimin për emërimin e Gent Cakaj, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
“Presidenti s'e ka çdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s'kemi kohë për të humbur në kërkim të presidentit”, shkruan Rama.
Ndërkohë, ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili edhe ai në rrjetet sociale shkruan se “presidenti në krye të punës. Për presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit”.
Për fillimin zyrtarisht të detyrës së kreut të diplomacisë, duhet dekretuar shkarkimi i ministrit aktual në detyrë Ditmir Bushati, dhe më pas dekretimi nga Meta në këtë post të kryeministrit Rama, dekrete që duhet të miratohen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Meta refuzoi propozimin për emërimin e Gent Cakaj, i cili është nga Kosova, për ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, duke renditur disa arsye pse ka refuzuar dekretimin e tij. Sipas presidentit Meta, Cakaj nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, post që është mbajtur deri tani nga Ditmir Bushati.
Meta vendosi dekretimin për emërimin e zëvendëskryeministrit të ri, Erion Braçe, dhe të disa ministrave të tjerë, të cilat u propozuan nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, më 28 dhjetor të vitit të kaluar.