Figen Shaban
16 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) - Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë kanë nënshkruar edhe një marrëveshje të re dy-palëshe mes dy vendeve, e cila synon hapjen e pikës së re kufitare në Stançiq (fshat në komunën e Gjilanit që lidh Kosovën me qytetin e Kumanovës), transmeton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja është nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Emanuel Demaj dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë, Arta Toçi, thuhet në një komunikatë nga MPJ e Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga përfaqësuesit politik të të dyja vendeve, pasi sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
“Sot është një ditë e veçantë, sidomos për zonën e Anamoravës, pasi është nënshkruar një marrëveshje që hap edhe një derë rreth lëvizjes së lirë, e sidomos për ata që jetojnë në këto zona. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj sa i përket hapjes së pikës kufitare”, ka thënë Demaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Vlerësim të ngjashëm për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, sipas njoftimit, ka bërë edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, Arta Toçi.
“Është ditë e rëndësishme hapja e kësaj pike kufitare sa i përket banorëve, pasi do të shkurtojë rrugën për 20 deri në 25 kilometra. Shpresojmë në një afat shumë të shkurtër do ta finalizojmë këtë projekt”, ka thënë Toçi.