Sibel Vezaj,Besar Ademi
14 Dhjetor 2016•Përditësim: 14 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA)- Analistët kosovarë të cilët duke analizuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, vlerësojnë se nuk janë të befasuar me rezultatet jo të mira të partive shqiptare në Maqedoni. Sipas tyre, subjektet politike të paktën tani duhet ta bëjnë atë që nuk kanë mundur ta realizojnë para zgjedhjeve, pra të bashkohen.

Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) shprehet se qytetarët e Maqedonisë janë të përgatitur për ndryshime, ku është konstatuar një rritje e ndjeshme mbështetësve të partisë opozitare maqedonase, LSDM. Ai thekson se nuk është për t’u lënë anash edhe mbështetja që ka marrë partia VMRO-DPMNE, sipas tij, përkundër skandaleve të shumta në vitet e fundit.
Hoti deklaron se nuk ka pritur ndonjë reflektim të madh të partive shqiptare në Maqedoni, për faktin se ato vazhdojnë të mbeten të fragmentuara dhe të kenë rivalitet skajshmërisht të madh. Duke pasur parasysh numrin e vogël të votuesve shqiptarë, sipas Hotit, nuk ishte e udhës të ketë numër të madh të subjekteve politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë.
“Meqë kemi pasur një numër të tillë, atëherë edhe nuk është pritur ndryshe përpos pakësim i ulëseve në parlament, sepse votat janë ndarë krejtësisht. Duke pasur parasysh këtë ndryshim në numër të madh të subjekteve politike shqiptare, si duket një numër i madh i votuesve shqiptar si opsion e kanë zgjedhur edhe partinë kryesore opozitare maqedonase, ndoshta si shpresë dhe adresë e vetme serioze që do t’i zgjidhë problemet e tyre”, thotë Hoti.
Ndërkaq, sa i përket Lëvizjes BESA, Hoti shprehet se "Ajo që u duhet më së fundi shqiptarëve atje mendoj që janë subjektet e reja politike, atyre u duhet një krijim i subjektit të fuqishëm politik që do të mbronte dhe avanconte të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni në parlamentin e Maqedonisë."
Ai vë në dukje se ndarja e subjekteve nuk është në interes të shqiptarëve dhe shtoi se shqiptarët e Maqedonisë do të duhej të veprojnë në ndryshimin, meqë sipas tij Qeverisja e deritashme ka bërë shumë pak për të drejtat e tyre, ku edhe Marrëveshja e Ohrit është larg e të qenit të realizueshme në tërësi.
“Të drejtat e tyre dhe përfaqësimi nëpër institucione shtetërore ende mbetet ëndërr dhe çështje në letër. Çfarëdo vullneti që eventualisht do të konfirmohej nga partia që deri dje qeveriste Maqedoninë mendoj se do të ishte i rënë, sepse së fundi edhe ata kanë pasur rastin t’i realizojnë të drejtat e shqiptarëve. Prandaj mendoj që është momenti që shqiptarët të provojnë alternativën e dytë, nëse nuk kanë garuar në zgjedhje të bashkuar rreth një subjekti atëherë të paktën do të duhej që tash të krijojnë koalicion për ta provuar alternativen e dytë të Qeverisë, që me shpresë që të drejtat e tyre në Maqedoni të avancoheshin”, deklaron Hoti.
Kurse, politologu Arben Qirezi në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) konsideron se rezultati aktual i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, për të cilat siç thotë ai, partitë politike shqiptare nuk kanë kaluar mirë dhe kanë humbur një numër jo të vogël të mandateve parlamentare, nuk është i befasueshëm, por është rezultat i pritshëm. Ai thekson se kjo është si pasojë e zhgënjimit të vazhdueshëm të popullsisë shqiptare në Maqedoni në lidhje me gjendjen e tyre në këtë vend, e cila sipas tij është në kuadër të koalicionit qeveritar që ka qenë deri më tani, BDI dhe VMRO-DPMNE.
“Në anën tjetër konsideroj se dalja në rend të parë të partisë VMRO-DPMNE, në një farë mënyrë ka qenë befasuese. Mirëpo, është indikacion i cili tregon se popullsia maqedonase në Maqedoni është duke përjetuar një ngritje të madhe të nacionalizmit, prandaj edhe shumica e popullsisë maqedonase e kanë zgjedhur VMRO-në. Ndërsa, LSDM-ja si një opsion më i moderuar maqedonas që ka edhe deputetë shqiptarë, nuk ka arritur që të dalë e para në këto zgjedhje”, shprehet Qirazi.
Qirezi në lidhje me Lëvizjen BESA shprehet se “Mbetet të shihet se çfarë do të jetë pozicionimi i këtij subjekti politik." Ai shton më tej se "Është me rëndësi në fakt që trendi në të cilin partitë shqiptare marrin pjesë në koalicionet qeverisëse të Maqedonisë që nga pavarësia e këtij shteti e deri më tani, të mos vazhdojë në atë mënyrën që këto parti të marrin pjesë në koalicionin dhe absolutisht të mos bëjnë pothuajse asgjë për popullsinë shqiptare në Maqedoni”, deklaron Qirezi.
Qirezi së fundi thekson se nëse formohet i njëjti koalicion qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, deputetët e të cilëve të bashkuar arrijnë në 61, mezi do të mbahen dhe do të jetë një koalicion jo i qëndrueshëm. “Kjo varet se a do të ketë bashkëngjitje edhe të ndonjë subjekti tjetër ose jo, atëherë kjo do të ndikonte në qëndrueshmërinë pak më të madhe të këtij koalicioni. Ndërsa, në anën tjetër në rast se VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja dështojnë të krijojnë koalicion atëherë mbetet nëse LSDM-së me partitë tjera shqiptare nëse ato janë të gatshme të hyjnë në koalicion dhe të prezantojnë një opsion të ri politik”, shprehet Qirezi.