Fatjon Cuka
14 Shkurt 2017•Përditësim: 15 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri (Confindustria Albania) kanë nënshkruar sot një protokoll bashkëpunimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky protokoll ka për qëllim lehtësimin e procedurave për shoqëritë italiane të pranishme në Shqipëri në kuadër të përmirësimit të dialogut biznes–doganë, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, seancave informuese për operatorët e biznesit, seminare periodike mbi risitë në legjislacion, etj.
Gjatë aktivitetit të nënshkrimit të këtij protokolli, drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Belinda Ikonomi, u shpreh se ky protokoll nënshkruhet në vijim të përmbushjeve të angazhimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të lehtësuar dhe mbështetur operimin e kompanive të huajve dhe vendase në Shqipëri.
"Hyrja në fuqi e kodit të ri doganor të Republikës së Shqipërisë dhe procedurave të reja të parashikuara në të nxit dhe nënkupton nevojën për një bashkëpunim më të madh ndërmjet administratës doganore dhe palëve të interesuara për të thjeshtuar dhe përshpejtuar pikërisht veprimet administrative", u shpreh Ikonomi.
Ndërsa Donato D'Agostino, president i Confindustria Albania u shpreh se është hera e parë që nënshkruhet një marrëveshje me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare.
"Confindustria Albania ndodhet për pak muaj në Shqipëri dhe bën pjesë te Confindustria Italia që është një subjekt që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë italiane dhe ndërvepron vazhdimisht me qeverinë italiane, që të zgjidhë problemet e ndryshme që has biznesi. Një nga misionet është që të ndihmojë ndërmarrjet për të gjitha çështjet doganore", theksoi D'Agostino.