Sibel Vezaj
14 Shkurt 2017•Përditësim: 14 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën rajonale për sigurinë e punës së gazetarëve, ku të pranishëm ishin asociacione të gazetarëve të shteteve të rajonit, bashkë me drejtorë dhe kryeredaktorë të mediave kryesore në Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se gjatë kësaj konference Thaçi ka thënë se gazetaria në Kosovë ndoshta nuk është më e vjetra për nga tradita, por është ndër më të guximshmet në rajon.
“Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut”, ka thënë Thaçi.
Ai vlerësoi se kanë qenë dy rrethana të rëndësishme që kanë rezultuar me gazetari të guximshme. E para, sipas tij në Kosovë, gazetaria e lirë, e mirëfilltë ka filluar në kohën e represionit dhe apartheidit, kurse e dyta, Kosova ka patur përkrahje të madhe ndërkombëtare në ndërtimin e një gazetarie profesionale dhe të standardeve më të larta.
Presidenti shtoi se gazetarët në Kosovë janë të mbrojtur me ligj në punën e tyre dhe jo vetëm që nuk mund të dënohen për punën e gazetarit, por madje, në Kosovë, gazetarët edhe në gjyq nuk janë të obliguar t’i zbulojnë burimet e tyre.
Për sa i përket sfidave me të cilat përballen sot gazetarët, presidenti Thaçi theksoi se Kosova jo vetëm me të arriturat, por edhe me sfidat me të cilat ballafaqohet është në hap me botën. Thaçi po ashtu theksoi se së paku në Kosovë, sot nuk është më sfidë liria e të shprehurit të gazetarëve, por abuzimi dhe keqpërdorimi që i bëhet lirisë së të shprehurit nga ata që gazetarinë nuk e kanë profesion.
Në konferencë përveç presidentit Thaçi të pranishëm ishin edhe ambasadori austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler, Shef i Seksionit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim Evropian në Zyren e BE-së Thomas Gnocchi, dhe Shefja e EULEX-it Alexandra Papadopoulou.
Konkluzionet dhe rekomandimet e ndara nga kjo konferencë e organizuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë, do të ndahen me palët e interesit si dhe do të prezantohen në një konferencë të nivelit të lartë me temë Lirinë e Medias në Ballkanin Perëndimor, që mbahet me 27 shkurt 2017 në Vjenë.