Fatjon Cuka
16 Maj 2017•Përditësim: 17 Maj 2017
TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë, thuhet se Haradinaj gjatë takimit e uroi Metën për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të Shqipërisë dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës “në shërbim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.”
“Meta pasi shprehu kënaqësinë për rikthimin dinjitoz e të merituar të Haradinajn në Kosovë vlerësoi përkushtimin e tij personal, si dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ndaj zhvillimit demokratik dhe institucional të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se Meta dhe Haradinaj diskutuan edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë e në Shqipëri “duke ndarë bindjen e përbashkët se realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, forcimi i demokracisë, i sundimit të ligjit dhe zhvillimi ekonomik i të dy vendeve i shërben perspektivës evropiane të qytetarëve si dhe stabilitetit afatgjatë të Ballkanit.”
Ramush Haradinaj më 4 janar të këtij viti ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004, ndërsa u lirua nga Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar, më 27 prill.