Figen Shaban
19 Prill 2017•Përditësim: 19 Prill 2017
PRISHTINË (AA) – Kryetari i Mitrovicës së Veriut në Kosovë Goran Rakiq, urdhëroi sot të ndalen punimet në projektin e Bashkimit Evropian (BE) afër urës së lumit Ibër, lum i cili ndanë Mitrovicën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këtë urdhër e ka konfirmuar Rakiq për mediat serbe me arsyen se kanë ndodhur disa incidente në veri të qytetit. Madje, Rakiq ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohen më shumë për sigurinë e qytetarëve.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje KFOR-it dhe policisë që të shtojë prezencën e pjesëtarëve të tyre në këtë qytet, si dhe kontrollimin dhe identifikimin e personave, sidomos në lagjet e banuara me popullatë të përzier.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka dënuar ashpër incidentin që ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme, ku në veri të Mitrovicës persona deri tani të panjohur kanë sulmuar një qytetar të nacionalitetit serb, thuhet në në njoftim nga Komuna e Mitrovicës.
Sipas Bahtirit këto incidente që po ndodhin në kohën kur në qytetin e Mitrovicës situata e përgjithshme është e qetë, kur përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është duke shkuar mirë në të dyja anët e lumit Ibër, kur punimet për rivitalizimin e urës po vazhdojnë pa pengesa, thuhet në njoftim.
Bahtiri vlerëson se është e panevojshme, e papranueshme dhe madje e dëmshme ftesa për ndërprerjen e punimeve për rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër.
Ai më tutje shton se intensifikimi i punëve dhe inaugurimi në afatin e paraparë të urës, do të ndikojë në relaksimin e mëtutjeshëm të gjendjes dhe raporteve ndërmjet qytetarëve të të dyja komunave të Mitrovicës.