Ivana Ramadanova
28 Prill 2017•Përditësim: 28 Prill 2017
SHKUP (AA) - Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë përmes një deklarate ka dënuar fuqishëm çdo akt të dhunës, duke përfshirë incidentin e dhunshëm të djeshëm në Parlament, i cili nuk duhet të jetë mënyrë për t'i menaxhuar sfidat, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Përpjekja për të zgjedhur presidentin e Parlamentit jashtë procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë dhe Rregullores së punës së Parlamentit ishin arsyeja që një grup i qytetarëve të hyjnë me forcë në ambientet e parlamentit. Kjo rezultoi në disa njerëz të plagosur, duke përfshirë edhe anëtarët e parlamentit. Me ndërhyrjen e organeve të rendit, të gjithë deputetët u evakuuan në mënyrë të sigurtë, dhe situata është e qetë", thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Nga MPJ theksojnë se adresimi i mbrëmshëm i presidentit Gjorge Ivanov është në kontekst të qetësimit të situatës.
"Ai kërkoi sjellje të përgjegjshme nga të gjitha institucionet kompetente, të cilat duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë. Ai bëri thirrje për takim urgjent të liderëve të partive politike në mënyrë që përmes dialogut dhe përmes institucioneve të gjendet zgjidhje për krizën politike dhe për qetësimin e tensioneve", thuhet në deklaratë.
Ata apelojnë për mbështetje të dialogut midis aktorëve politikë në kuadër të institucioneve, me respektim të plotë të rendit kushtetues, si e vetmja rrugë për një zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike.