Ivana Ramadanova
11 Prill 2016•Përditësim: 11 Prill 2016
SHKUP (AA) – Pas incidenteve të djeshme me emigrantët në Idomeni, ka reaguar edhe ministri grek për Mbrojtjen Civile, Nikos Toskas, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Toskas u shpreh se e dënon “përdorimin e forcës” nga ana e policisë së Maqedonisë kundër emigrantëve dhe refugjatëve të cilët dje tentuan që ta kalojnë kufirin mes dy vendeve. Toskas i hodhi poshtë informacionet se policia e Maqedonisë ka vepruar në anën greke të kufirit, duke pohuar se gardhi është vendosur dy deri tre metra brenda anës maqedonase të kufirit.
Ai, po ashtu iu përgjigj, siç tha, “kritikave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinjë se policia greke nuk është orvatur që të ndalojë migrantët që të ngjiten në gardhin kufitar”, duke thënë se kjo në mënyrë shtesë do të provokonte reagim më të madh.
Në takimin e sotëm me kryeministrin portugez Antonio Costa, u prononcua edhe presidenti grek Prokopis Pavlopulos i cili kritikoi autoritetet e Maqedonisë lidhur me incidentet e djeshme në Idomeni, duke theksuar se “sjellja e autoriteteve maqedonase është e paimagjinueshme dhe e papranueshme, dhe me sjelljen e tillë për vendin fqinjë nuk ka vend në BE dhe NATO”.
“Për fat të keq, disa nga partnerët tanë sillen me fobi ndaj refugjatëve. Kjo është diçka që nuk përputhet në Evropë dhe mentalitetin e saj. Sepse solidariteti është parimi kryesor i mënyrës së të menduarit të BE-së”, deklaroi Pavlopulos.