Ekip
01 Shtator 2017•Përditësim: 02 Shtator 2017
SARAJEVË/BEOGRAD/PODGORICË/ZAGREB (AA) – Në prani të një numri të madh besimtarësh, mëngjesin e sotëm në xhamitë e vendeve të rajonit është falur namazi i Bajramit me çka filloi njëra nga festat më të mëdha në kalendarin islam, Kurban Bajrami, raporton Anadolu Agency (AA).
Manifestimi qendror në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) u mbajt në xhaminë e Gazi Husrev-Beut në Sarajevë, të cilit i parapriu Reis-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame të BeH-së, Husein ef. Kavazoviç, i cili tha se retorika nacionaliste dhe qërimi i hesapeve politike nuk mund të kënaqin nevojat e njerëzve të rëndomtë.
“Asnjë politikë nacionaliste apo shtetërore nuk do t'i bëjë njerëzit të lumtur në Bosnjë e Hercegovinë. Ne të gjithë duhet të gëzojmë të drejtat tona individuale dhe kolektive, të jetojmë në dinjitetin tonë njerëzor, të lirë dhe pa frikë", tha Kavazoviç.
Në Beograd, manifestimi qendror i faljes së namazit të Kurban Bajramit u mbajt në xhaminë Bajrakli, e cila ishte e vogël të pranojë numrin e madh të besimtarëve, një pjesë e të cilëve u fal jashtë oborrit të saj, ndërkohë që vërehej edhe prania e policisë.
Reis-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame të Serbisë, Sead Nasufoviç në hutben e Bajramit vuri theksin tek personat e shpërngulur të cilët Bajramin e festojnë larg shtëpive të tyre.
"Miliona muslimanë sot nuk bëjnë Bajram në shtëpitë dhe atdheun e tyre. Ata janë të shpërndarë në të gjithë botën, të përmalluar për të dashurit e tyre, dhe mbi të gjitha për fëmijët e tyre që vuajnë. Prandaj, vëllezër dhe motra, ju që jetoni në paqe dhe në shtëpitë tuaja, mos lejoni që të prisni Bajramin të acaruar me familjarët tuaj”, tha ai.
Muslimanët nga Zagrebi dhe rrethin e tij, namazin e festës së madhe islamike të sakrificës e falën në xhaminë e Zagrebit, e cila ishte shumë e vogël që të akomodojë të gjithë besimtarët të cilët erdhën për të falur namazin.
Vlerësohet se në ceremoninë qendrore u mbodhën rreth 2.500 besimtarë të cilët pas ceremonisë blenë trëndafila të kuq për gratë, nënat dhe motrat e tyre.
Edhe muslimanët e Malit të Zi kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Plavë, në Xhaminë e Mbretit. Namazit i priu kreu i Bashkësisë Islame të Malit të Zi Rifat ef. Fejziç, i cili në fjalimin e tij uroi besimtarët që Bajrami t'u sjellë paqe, mëshirën e Allahut, bereqet dhe shëndet.
Fejziç falënderoi miqtë nga Turqia të cilët dërguan rreth 2.000 kurbanë për të varfërit, të pambrojturit dhe për ata që kanë nevojë për ndihmë gjatë kësaj feste të madhe islame.