Sibel Vezaj
03 Shkurt 2017•Përditësim: 03 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku u diskutua lidhur me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Mustafa ka theksuar rëndësinë e gazetarisë, duke nënvizuar se mediat sot në fazën e ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës kanë po atë rëndësi të cilën e kanë patur historikisht edhe në fazën e pavarësimit të Kosovës.
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se Mustafa me këtë rast ka thënë se gazetarët po i mbajnë gjallë disa vlera themelore dhe shumë të rëndësishme të demokracisë, të aktivizmit qytetar, por edhe shumë aspekte tjera të jetës sociale të Kosovës.
Më tej, kryeministri ka theksuar përkushtimin e Qeverisë që të bashkëpunojë me mediat dhe me gazetarët dhe të gjendet mënyra më e mirë se si t’i plasohen informatat dhe si të bashkëpunohet duke ruajtur pavarësinë e mediave.
Ai po ashtu ka vënë në dukje angazhimin e Qeverisë që të mos ndërhyjë në hapësirën e mediave, duke theksuar kontributin e tyre për mbrojtjen e lirisë së mediave dhe të gazetarëve në të gjitha aspektet, të cilat sipas tij janë të garantuara dhe për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare.
Më tej, Mustafa ka shpalosur dy aspekte ku Qeveria ka nevojë që të marrë masa për përmirësimin e komunikimit, në qasjen në dokumente publike dhe punimi në kthimin e sa më shpejtë të përgjigjeve për gazetarë.
Ndërkaq, në një njoftim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bëhet e ditur se me këtë rast, kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj ka kërkuar nga qeveria që të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës dhe krijimin e mekanizmave adekuat për të mbrojtur gazetarët.
Hysenaj po ashtu ka shprehur shqetësimin e gazetarëve sa i përket trajtimit të rasteve kur gazetarët janë viktimë e dhunës, kërcënimeve dhe fushatave linçuese.