Admir Fazlagikj
12 Dhjetor 2016•Përditësim: 13 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve nga Budapesti, sot në Shkup mbajti konferencë shtypi e cila kishte për qëllim që ta informojë opinionin e gjerë vendor për gjendjen e rëndë dhe rastin e shpërnguljes së romëve nga lagjja joformale nën Kalanë e Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).
Fjalim mbajti Senada Sali nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve nga Budapesti, ku theksoi se kanë për qëllim ta informojnë opinionin lidhur me rastin e shpërnguljes së romëve nga lagjja joformale nën Kalanë e Shkupit, si dhe për kushtet e rënda në të cilat jetojnë këto njerëz.
Zëvendësja e Avokatit të Popullit Vaska Bajramovska – Mustafa tha se është shqetësues fakti se ende nuk ka masa adekuate nga ana e institucioneve për romët që jetojnë në lagjen joformale nën Kalanë e Shkupit. “Edhe përkundër shumë rekomandimeve të shumta për gjetjen e zgjidhjes adekuate, problemi edhe më tej nuk është zgjidhur”, tha Bajramovska – Mustafa.
Ajo më tej shtoi se pas vizitës së romëve në lagjen joformale nën Kalanë e Shkupit panë gjendjen faktike për të cilën thekson se është shqetësuese.
“Bëhet fjalë për një numër të madh të familjeve, 31 familje, të gjithë romë. Këtu ka 135 persona prej të cilëve 6 gra shtatzëna, dhe 78 fëmijë të moshës deri në 18 vjeç. Shqetësues është edhe ajo se kishte edhe foshnje të posalindura. Akoma më shumë reagojmë edhe për faktin se një pjesë e tyre janë pa dokumentacion, pa mbrojtje shëndetësore, ndërsa fëmijët nuk kanë qasje deri te arsimi”, tha Bajramovska Mustafa.
Mes tjerash Bajramovska – Mustafa kërkoi nga institucionet dhe organizatat kompetente që të punojnë në zgjidhjen e përhershme të problemit të familjeve të pastreha dhe krijimit të mundësive për realizimin e të drejtës së mbrojtjes shëndetësore të personave, veçmas grave shtatzëna.
Shtëpitë e improvizuara të romëve nën Kalanë e Shkupit u rrënuan në muajin gusht të këtij viti, për çka paraprakisht disa herë u paralajmëruan nga ana e institucioneve kompetente.