Stipe Mayiç
08 Prill 2016•Përditësim: 09 Prill 2016
ZAGREB (AA) – Me rastin e koncertin në Lisinski të Zagrebit-Kroaci, gazetarët prisnin në radhë të gjata për të biseduar me kantautoren e njohur rome të Maqedonisë me renome botërore, Esma Rexhepova, aktiviste për të drejtat e romëve dhe humaniste. Ajo për Anadolu Agency (AA) flet për romët në Maqedoni dhe botë sot, ndërsa ndau me lexuesit edhe disa margaritarë të vjetër, urtësi rome.
- Maqedonia si një model për zgjidhjen e çështjes rome -
Rexhepova thekson se romët si komb në Maqedoni janë pranuar para dhjetë vitesh, kanë përfaqësuesit dhe ministrat e tyre, kanë dy televizione private, ndërsa në televizionin kombëtar për çdo ditë ka emision në gjuhën rome. “Maqedonia shumë mirë ka zgjidhur statusin e kombësive që jetojnë në të. Unë jam e lumtur që kam lindur në Maqedoni. Maqedonia është i vetmi vend që ka pranuar statusin e romëve në botë”, tha Rexhepova.
Në pyetjen se si e sheh statusin dhe problemet e romëve në përgjithësi, Rexhepova tha: “Mendoj se statusi i romëve në përgjithësi është përmirësuar në botë, por momentalisht lidhur me këtë çështje akoma epërson Maqedonia, i vetmi vend që ka pranuar këtë popull të saj. Mjaft punon në edukimin e popullit rom në Maqedoni. Në këtë drejtim janë edhe të gjitha shtetet tjera në Ballkan dhe në Evropë. Shumë më i mirë është tani statusi seç ka qenë, lidhur me çështjen rome”, tha Rexhepova.
Kjo rome është e para në ish-Jugosllavi e cila këndoi në gjuhën rome dhe kandidatja për Çmimin Nobel. Ajo thekson se të gjithë duhet të marrin Maqedoninë si model për zgjidhjen e çështjes rome. “Romët në Maqedoni janë shumë të vlerësuar në mesin e kombësive tjera dhe shumë i duan, nuk kanë paragjykime dhe gjëra tjera që kanë qenë më parë”, thekson Rexhepova.
Duke folur për ndryshimet në qasjen e muzikës dhe interpretuesve të rinj, Rexhepova tha se “Ka gjithnjë e më shumë media, më lehtë vihet deri te të dhënat, ashtu që muzika rome bëhet gjithnjë më popullore në botë, ndërsa kanë dalë edhe mjaft përbërje muzikore në Ballkan dhe në Evropë. Dhe përveç të gjitha muzikave tjera, romët janë shumë të popullarizuar në botë. Janë mjaft të promovuar pasi ka shumë ndihmues dhe media dhe lehtë arrihet deri te afirmimi”.
Nga fillimi i karrierës së saj në gjysmën e dytë të viteve të 50-ta të shekullit të kaluar, sot gjërat lidhur me muzikën rome, thekson ajo, kanë shkuar mirë dhe ky zhanër është shumë i popullarizuar.
Si ia doli mbanë ajo, në mesin e të gjithë romëve që këndojnë bukur, Esma Rexhepova sqaroi se: "Në kohën time ishte e çuditshme që dikush të shfaqet me muzikë rome. Unë isha e para në botë që në mesin e romëve ka regjistruar muzikë në gjuhën kombëtare. Në atë kohë ishte turp që dikush të shfaqet dhe të këndojë në mënyrë të tillë. Akoma vlente tradita dhe paragjykimet. Unë isha ndryshe, kam lindur në qendër të qytetit, në qendër të Shkupit. Nuk kam jetuar në geto, ku jetonin romët por kam jetuar krah për krah me maqedonasit dhe të tjerët ku isha shumë më përpra për disa gjëra. Për mua ishte e rëndësishme që të bëhëm artiste dhe të këndoj, të shndërrohem në një emër, për çka ëndërra ime u bë realitet. Të gjitha dëshirat më janë plotësuar”, rrëfen Rexhepova.
- Romët nuk vjedhin miliona -
Rexhepova sqaron mënyrën si e sheh ardhmërinë e popullit të saj. “Romët janë kosmopolit, popull i mirë dhe fisnik cili asnjëherë nuk ka okupuar dikë si dhe nuk ka luftuar me askënd. Duan të jetojnë në bashkësi nëse dikush i zgjat dorën atij. Nëse nuk janë të dëshirueshëm, ata largohen anash, janë të urtë si popull”, thotë ajo.
“Nuk di nëse keni dëgjuar ndonjëherë se ndonjë rom ka vjedhur miliona ose diç të madhe. Nuk ka diçka të tillë. Nëse ata marrin diçka, marrin sa për t'u ushqyer ose të jetojnë sot për sot, por shuma të mëdha asnjëherë”, thotë Rexhepova.
Kantautorja ka lindur në Shkup në vitin 1943, ndërsa thotë se që nga fillimi, romët janë të edukuar ndryshe. “Vijmë lakuriq në këtë botë dhe në gjendje të njëjtë largohemi, nuk do të marrim asgjë me vete, kjo është filozofija e tyre dhe duan të jetojnë në tërë botën. Ata nuk duan që dikush të kërkojë nga ta pasaportën ose letërnjoftimin. Kjo nuk ju pëlqen. Duan gjithçka të jetë e hapur sepse kjo botë nuk është e askujt", shprehet Rexhepova.
Kur dikush thotë “kjo është toka ime” tek unë tingëllon katastrofale, thotë ajo. "Ne jemi sjellë në këtë botë dhe nuk është faji im që kam lindur në Maqedoni. Kjo është e urdhëruar nga dikush, dikush dëshiroi që unë të lind atje. Është njëjtë sikur në kopshtin ku ka shumë lule të thuash 'këtu nuk mundesh të lulëzosh' ndërsa ajo vazhdon të lulëzojë. Kjo është situata me romët", tha Esma Rexhepova.
"Dikush u thotë atyre 'ju nnuk mund të jetoni këtu' ndërsa ata vazhdojnë të jetojnë”, thekson më tej ajo. Pas koncertit në Zagreb, Esma Rexhepova udhëton në Maribor të Sllovenisë pasi atje do të performojë në një koncert me rastin e Ditës Botërore të Romëve 8 prilli, ndërsa do të marrë pjesë edhe në një konferencë të grave.