Admir Fazlagikj
26 Dhjetor 2017•Përditësim: 27 Dhjetor 2017
SHKUP (АА) - Sot në Shkup u mbajt konferenca përmbyllëse “Modele të qëndrueshme për punësim të romëve”, në të cilën u theksua se romët në Republikën e Maqedonisë si bashkësi etnike përballen me shkallë dyfish më të lartë të papunësisë se popullata jorome, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti, i cili filloi para një viti, është që të kontribuohet në integrimin e qëndrueshëm të romëve në tregun e punës.
Mlladen Fërçkovski, përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, i cili ishte një nga pjesëmarrësit e konferencës tha se punësimi në Republikën e Maqedonisë është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet ekonomia e Maqedonisë. Sipas tij, papunësia është problem i përgjithshëm tek të gjitha kategoritë e ndjeshme në shoqëri, veçmas tek romët e rinj.
“Analizat që i bëmë me ndihmë të Agjencisë ndërkombëtare për punë tregojnë se mbi 136.000 të rinj nuk janë aktiv, as nuk janë të evidentuar në Agjencinë për Punësim, as nuk janë të kyçur në trajnime, madje nuk janë pjesë e procesit arsimor. Prej tyre 80.000 janë të papunë, 56.000 janë joaktiv (persona të moshës prej 15-29 vjeç)", theksoi Fërçkovski.
Ai shtoi se Qeveria këmbëngul që ta ul shkallën e papunësisë përmes dokumenteve strategjike, përmes planit aksional për punësim të të rinjve, dhe ajo që është më e re, nga viti 2018 do të vendoset implementimi për garanci për të rinj.
Në projektet për popullatën rome në Maqedoni, gjatë dhjetë viteve të fundit në trajnime janë përfshirë mbi 26.000 romë, ndërsa rreth 500-600 romë u punësuan përmes subvencionimit ose përmes trajnimeve të Agjencisë për Punësim.
Mersiha Usein, këshilltare e ministrit pa resor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Strategjisë së Romëve, Aksel Ahmedovski, tha se romët në Maqedoni përballen me shkallë dyfish më të lartë se shkalla e papunësisë në popullatën jorome.
“Sipas të dhënave me të cilat disponojmë për momentin, shkalla e papunësisë tek romët arrin 53 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë tek popullata jorome arrin 27 për qind. Shkalla e papunësisë tek gratë rome është rreth 70 për qind, ndërsa tek pjesa tjetër e popullatës gra arrin 35 për qind”, potencoi Usein.
Ndryshe, projektin “Modele të qëndrueshme për punësim të romëve”, e zbaton Habitat Maqedoni, në bashkëpunim me DROM nga Kumanova dhe "Kreacija" nga Shkupi, ndërsa donator i projektit është Bashkimi Evropian (BE).