Stipe Mayiç
04 Shtator 2017•Përditësim: 04 Shtator 2017
ZAGREB (AA) - Nga kazerma "Kolonel Marko Zhiviç" në Velika Gorica të Kroacisë në misionin e mbështetjes së paqes në Afganistan, në mënyrë solemne u nis kontingjenti i 7-të kroat, në përbërje të të cilit janë ushtarë nga Kroacia dhe vendet partnere: Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina, raporton Anadolu Agency (AA).
Në misionin e mbështetjes së paqes Resolute Support (RS) në Afganistan u nis kontingjeti i 7-të kroat i cili përbëhet nga 96 ushtarë, prej të cilëve pesë femra dhe 28 pjesëtarë të forcave të armatosura të vendeve partnere. Nga Mali i Zi marrin pjesë 18 ushtarë, 6 nga Armata e Maqedonisë, nga dy pjesëtarë të forcave të armatosura të Shqipërisë dhe BeH-së nën komandën e brigadierit Zheljko Ljubas.
"Situata e sigurisë në Afganistan është komplikuar, me tendencë të përkeqësimit, por pjesëtarët tanë janë të përgatitur për këtë", ka thënë komandanti i kontingjentit të 7-të Zheljko Ljubas duke shtuar se kontingjenti nuk do të marrë pjesë në operacione ushtarake, por në trajnimin e ushtarëve, oficerëve dhe nënoficerëve afganë.
Zv/kryeministri dhe ministri kroat i Mbrojtjes Damir Kërstiçeviç, pjesëmarrjen e ushtarëve të vendeve të sipërpërmendura të rajonit e ka cilësuar si "kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal".
"Jemi të vetëdijshëm se siguria sot nuk mbrohet vëtëm në kufitë e Kroacisë, por atje ku paraqitet rreziku", ka thënë Kërstiçeviç.
Ai tha se ushtarët kroatë, të pajisur plotësisht me prodhime kroate, janë një promotor i shkëlqyeshëm i industrisë ushtarake vendase në botë.
Pjesëtarët e kontingjentit të 7-të do të vendosen në Komandën e Trajnimit, Këshillimit dhe Asistencës në Mazar-i Sharif dhe Komandën e Misionit të RS në Kabul.
Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë me vendet partnere marrin pjesë në misionin e Mbështetjes së Përhershme të NATO-s që nga 1 janari 2015.