Bekim Laci
04 Shtator 2017•Përditësim: 05 Shtator 2017
SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i cili bashkë me një delegacion qeveritar po qëndron në Izrael, ka realizuar sot në Jerusalem një drekë pune me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, thuhet në njoftimin nga kabineti i Zaevit, ka theksuar se po shqyrtohen fushat në të cilat mund të bashkëpunohet për të mirën e popujve që jetojnë në shtetet respektive.
“Mësuam nga e kaluara se si të sigurojmë të ardhmen. Izraeli është një shtet i zhvilluar teknologjikisht dhe si i tillë do t'i ndihmojë Maqedoninë”, ka thënë kryeministri izraelit.
Nga ana tjetër, kryeministri Zaev ka nënvizuar rëndësinë e përvojave që ka izraeli në fushën e inovacioneve dhe bizneseve “start-up” për të shtuar qe qeveria e tij do t'i shfrytëzojë të njëjtat për një jetë më cilësore në Maqedoni.
"Kemi nderin të jemi në Izrael. Vizituam presidentin e shtetit të Izraelit dhe patëm një takim edhe me komunitetin e biznesit, vizituam kompani të suksesshme që filluan si kompani fillestare, kompani të rëndësishme me të cilat shpresojmë të kemi bashkëpunim të mëtejshëm në nivel ekonomik”, ka thënë Zaev.
Në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë, thuhet se palët janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes zbatimit të programit për përsosje teknologjike dhe inovacione.
Gjatë takimit janë shqyrtuar mundësitë që inxhinierë, matematikanë dhe sipërmarrës nga Maqedonia të qëndrojnë në Izrael dhe të bashkëpunojnë me kompanitë “strat-up”, ndërkohë që është biseduar edhe për investime të Izraelit në Maqedoni, thuhet në njoftim.
Në delegacion morën pjesë ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Koço Angjushev, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit, Ljupço Nikolovski.