Besar Ademi
08 Mars 2017•Përditësim: 09 Mars 2017
SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë të iniciuar nga Shoqata “Për Maqedoni të përbashkët” për të nëntën herë marshuan rrugëve të Shkupit në shenjë proteste kundër platformës shqiptare dhe në mbështetje të vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).
Si zakonisht, protestuesit u tubuan para godinës së Qeverisë së Maqedonisë për të vazhduar përmes Zyrës Kombëtare të presidentit Ivanov drejt Kuvendit të Maqedonisë, ku dhe përfundoi protesta në mënyrë paqësore pas disa fjalimeve nga ana e organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë.
Një ndër kërkesat kyçe të organizatorëve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin do të çojë vendin drejt ridefinimit, si dhe do të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë e vendit.
Iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët” filloi me protesta që nga e hëna e kaluar kur lideri i LSDM-së i dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë e shumicës parlamentare, i cili më pas refuzoi t’i jap mandatin për formimin e qeverisë, duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kënd që negocionin për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënon shtetin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë”.
Protesta të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë, ndërkohë organizatorët thonë se do të vazhdojnë të protestojnë deri sa të zgjidhet kjo krizë politike që ka përfshirë vendin.
Ndryshe, platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.