Admir Fazlagikj
04 Prill 2017•Përditësim: 05 Prill 2017
SHKUP (АА) – Nga sot deri më 10 prill për adhuruesit e librit do të qëndrojë i hapur Panairi i 29-të i Librit në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Panairi i Shkupit, të cilët janë organizatorë të këtij eventi, njoftuan se në panairin e këtij viti marrin pjesë rreth 80 botues.
Gjithashtu theksojnë se edhe sivjet në panair janë të pranishëm autorë vendor dhe të huaj, vepra bashkëkohore dhe klasike, literaturë shkencore, libra dhe doracakë shkollorë, enciklopedi dhe vepra nga sfera e kulturës dhe artit.
Përveç ofertës së ndryshme të zhanreve dhe titujve të shumtë, vizitorët gjatë ditëve të ardhshme të panairit mund të jenë të pranishëm në gjashtëdhjetë promovime të veprave të reja dhe autorëve në Qendrën promovuese në sallën e dytë të panairit, si dhe në debate, tribuna, ndarje të çmimeve dhe aktivitete tjera të ngjashme.
Ajo që është ndryshe nga edicionet e viteve të kaluara në Panairin e Librit është se për herë të parë sivjet do të prezantohet edhe literaturë për fëmijë dhe të rinj në Këndin e adaptuar për fëmijët.
Po ashtu, nga e enjtja deri të shtunën, krahas Panairit të Librit do të mbahen edhe Ditët e arsimit dhe karrierës dhe Panairi për Turizëm.