Fatjon Cuka
05 Janar 2017•Përditësim: 05 Janar 2017
TIRANË (AA) - Reshjet e borës në disa zona të Shqipërisë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, konkretisht në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Dibrës, etj, ndërsa janë shënuar edhe temperatura të ulëta, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka monitoruar situatën e krijuar për shkak të kushteve të motit në të gjithë vendin, ndërsa kryeministri Edi Rama ka mbledhur Shtabin e Emergjencave.
Në fjalën e mbajtur në Shtabin e Emergjencave, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, u shpreh se në 6 qarqe të vendit shtabet e emergjencës janë të ngritura prej disa ditësh për të marrë masat për të gjitha problematikat, që nga transporti, komunikimi, rrjeti i infrastrukturës, etj.
"Për shkak se kemi marrë masa ditë më parë, sot të gjitha akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, por ulja e temperaturave e bën akoma më të vështirë (situatën) veçanërisht në zonat veriore dhe veri lindore të vendit. Të gjitha burimet njerëzore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjitha agjencive që përballen me detyra konkrete në rast të emergjencave civile janë të gatishmëri. Duhet edhe ndihma e qytetarëve për t’i bërë sa më të lehta këto ditë të vështira për shkak të motit", është shprehur ministri Tahiri.
Ndërkohë sot, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka realizuar një takim me drejtues të institucioneve të Bashkisë së Tiranës dhe administratorët e njësive administrative për marrjen e masave gjatë ditëve kur priten temperatura shumë të ulëta.
Veliaj ka deklaruar se Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për të shmangur problemet gjatë ditëve në vijim nga moti i ftohtë. Sipas tij vëmendje e veçantë do t'iu kushtohet personave në nevojë. Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që edhe vetë të marrin masa për të shmangur problemet gjatë ditëve me temperatura të ulëta.
Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, gjatë ditës së sotme temperatura minimale është regjistruar deri në minus 2 gradë celsius. Sipas këtij instituti, në periudhën 7-10 janar në vendet malore temperatura do të luhaten nga minuse 7 deri minuse 12 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 0 deri 3 gradë.