Fatjon Cuka
22 Nëntor 2016•Përditësim: 23 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka organizuar në Tiranë forumin për zhvillimin e medias, një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar çështjet më të rëndësishme të medias shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapje të forumit mbajti një fjalë përshëndetëse ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili u shpreh se është i njohur me zhvillimet dinamike të medias në Shqipëri.
"Nevoja për rregullimin e internetit, medias sociale apo rrjeteve sociale ngre një debat të natyrshëm dhe të nevojshëm në shkallë vendi. Çështje si vetërregullimi, privatësia, siguria dhe përmbajtja kanë dalë tashmë në plan të parë. Mbajtja në vazhdim e një interneti të lirë, të hapur dhe të sigurt për të gjithë mbetet një nga sfidat kryesore", ka theksuar ambasadori Borchardt.
Sipas tij përmirësimi i situatës ekzistuese mediatike në vend kërkon angazhim politik të qartë e të gjerë, si edhe angazhim dhe pjesëmarrje të plotë të gazetarëve dhe të shoqërisë civile.
Forumi organizohet për të dytin vit radhazi nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me organizata të huaja dhe vendase dhe këtë vit përqendrohet te temat: Zhvillimet dhe nismat ligjore në fushën e lirisë së medias; sfidat e RTSH-së (Radio Televizioni Shqiptar)-transformimi i transmetuesit publik në një transmetues të pavarur, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm; media, zgjedhjet, transparenca dhe aksesi në informacion, etj.