Sibel Vezaj
22 Nëntor 2016•Përditësim: 22 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në takimin e parë të grupit punues për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij presidenti Thaçi tha se që nga marrja e mandatit të tij, me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore ka kërkuar dhe iniciuar ndryshimin dhe plotësimin e kodit penal dhe të procedurës penale. Duke vënë theksin në ndryshimet dhe rreziqet globale si terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni, Thaçi theksoi se për luftimin e tyre kërkohet një infrastrukturë më të fuqishme ligjore.
“Besoj fuqishëm se iniciativat e tilla si kjo për ndryshim plotësimin e legjislacionit penal tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur për ta luftuar krimin dhe për ta fuqizuar sundimin e ligjit. Dua të rikonfirmoj edhe një herë se Kosova i ka shpallur luftë shumë të ashpër dhe të vendosur krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe veprimet konkrete që jemi duke i bërë po e dëshmojnë një gjë të tillë më së miri”, tha Thaçi.
Ai gjithashtu inkurajoi Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjitha institucionet e tjera që ndryshimet legjislative të jenë të thella, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme në praktikë. Së fundmi Thaçi shprehu bindjen se ky proces do të përmbyllet në një të ardhme të afërt.
Në anën tjetër ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se përmes këtij procesi synohet të arrihet avancimi i mëtejshëm i legjislacionit, rishikimi i dispozitave që i referohen korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimi i sfidave që kanë hasur organet e zbatimit të legjislacionit penal si dhe adresimi i të gjeturave nga raporti i progresit të Komisionit Evropian.
Ajo theksoi se duke u bazuar në propozimet nga gjykatat, prokuroritë, policia, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë është vërejtur nevoja dhe domosdoshmëria në hyrjen e rishkimit të drejtësisë penale.
“Pjesë e këtij procesi do të jenë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, me ç’rast do të angazhojmë edhe ekspertë për disa nga çështjet më komplekset siç është fusha e konfiskimit të pasurisë, dispozitat në çështjen e terrorizmit, luftimit më të fuqishëm të korrupsionit e krimit të organizuar. Ky proces përveç që do të jetë gjithpërfshirës do të jetë edhe shumë transparent”, tha Hoxha.
Kurse nga ana e tij kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se rishikimi i legjislacionit penal do të ketë ndikim pozitiv në avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si dhe në evidentimin e mangësive në ligjet penale në fuqi.
“Këshilli gjyqësor në bashkërendim me gjykatat kanë propozime komplete për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit penal të Kosovës, ndryshime këto që konsiderohen si të domosdoshme për rritjen e efikasitetit të punës së gjykatave në procedurën penale”, tha Idrizi.
Ndërkaq Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës theksoi rëndësinë e drejtësisë penale në apektin ligjor të një vendi, për shkak të mbrojtjes së të drejtave dhe vlerave të shoqërisë.
Ai foli për ndryshimet e deritashme në sistemin e drejtësisë penale që nga paslufta dhe theksoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave për zgjidhje alternative të rasteve, ndërmjetësimit dhe negociimit të marrëveshjeve për pranimin e fajësimit, mundësisë së shqiptimit të masave alternative dhe të diversitetit, si dhe të disa aspekteve tjera që lidhen me këtë fushë.