Admir Fazlagikj
11 Nëntor 2016•Përditësim: 11 Nëntor 2016
SHKUP (АА) - Në kuadër të Konferencës "Perspektiva 2016" sot në Shkup u mbajt debati me temën "25 vite të Maqedonisë së pavarur - Çfarë kemi mësuar me ekonominë e Maqedonisë, si më tej?", në të cilën pjesëmarrësit ishin të një mendimi se në Maqedoni nevojitet konsensus për shtyllat e saj kryesore, i pavarur nga ndikimi i politikës dhe se në arsim janë të nevojshme reforma thelbësore që t'u përgjigjet sfidave në kohën e sotme dhe nevojave të tregut të punës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekonomisti Zoran Jovanovski, i cili e hapi konferencën në fjalimin e tij tha se tema për të cilën diskutohet është imponuar vetvetiu, pas 25 viteve të pavarësisë së Maqedonisë. Sipas tij, më rëndësi është të shikohet në të kaluarën që të bëhen strategji të mira për të ardhmen. Jovanovski theksoi se në atë kontekst dy aspekte janë të rëndësishme, afatgjatësia dhe nevoja e ndërtimit të konsensusit për çështjet kyçe në shtet.
"Konferenca e sotme fokusin e vë në çështjet afatgjate ekonomike, të cilat janë me rëndësi strategjike për të ardhmen sepse prodhojnë pasoja afatgjate. Aspekti i dytë është nevoja nga ndërtimi i shtyllave të saj kryesore. Unë këtë e quaj si shënim të vijave të kuqe për ekonominë e Maqedonisë", tha Jovanovski.
Profesoresha nga universiteti "American College", në Shkup, Nikica Mojsovska, tha se në Maqedoni nuk bisedohet mjaftueshëm për vizionin e gjendjes ekonomike. Ajo thotë se ekziston nevoja për ndërgjegjësim dhe se ndodhemi në prag të revolucionit të katërt industrial, që do të thotë se do të vjen deri tek ndryshime të mëdha, qoftë në mënyrën e të punuarit, qoftë në mënyrën e të jetuarit si dhe në mënyrën e rritjes së ekonomive.
"Disa thonë se do të ketë humbje të vendeve të punës dhe se robotët do të na i marrin vendet e punës ndërsa të tjerët thonë se ka mundësi të pakufizuara për rritje të ekonomive. Unë do të doja të ishim në grupin e dytë", tha Mojsovska.
Ajo potencoi se më shumë duhet të punohet në fushën e arsimit ku janë të nevojshme reforma thelbësore me qëllim që t'u përgjigjet nevojave të jetesës bashkëkohore dhe nevojave të tregut të punës.
Mojsovska theksoi se sipas statistikës 65 përqind e fëmijëve të cilët janë regjistruar në arsimin fillor në të ardhmen do të punojnë në vende pune të cilat sot nuk ekzistojnë.
Profesori universitar Marjan Petrevski tha se në 25 vitet e kaluara ekonomia e vendit përjetoi ngritje dhe rënie meqë ishte e ekspozuar nga goditjet e jashtme.
"Çdo herë kur ekonomia merrte hov ishte e goditur nga ndonjë goditje e jashtme dhe ai vrull ndërpritej. Tash na duhet model ekonomik sipas të cilit duhet të zhvillohet ekonomia jonë. Në afat të mesëm dhe të gjatë kyçe për ekonominë e Maqedonisë është që të mund ti lidh fabrikat e huaja të cilat sjellin teknologji më të lartë, aftësi më të ndryshme të menaxhimit dhe lidership me kompanitë të cilat duhet ta përmirësojnë kapacitetin e tyre produktiv", tha Petrevski.