Figen Shaban
15 Gusht 2017•Përditësim: 16 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) – Në Prishtinë u organizua aktiviteti për prezantimin e platformës për akomodime dhe rezervime online "rezervimi.com". Ky projekt është i zhvilluar nga kompania Pr solutions e përkrahur nga projekti zviceran, Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSP) nga organizata zvicerane Swisscontact, raporton Anadolu Agency (AA).
"Rezervimi.com" ka për qëllim dixhitalizimin e rezervimeve në tërë Kosovën, ku përmes një navigimi mundëson gjetjen e akomodimeve të përshtatshme, destinacione të kërkuara dhe aktivitete të dëshiruara.
Menaxherja e projektit, Venera Ismaili në hapje të prezantimit tha se kohët e fundit është vërejtur një mungesë e madhe në informacionet rreth hotelerisë, hoteleve dhe vendeve për t'u vizituar në Kosovë. Ajo theksoi se këto informacione munden të gjenden nëpër ueb faqe të ndryshme, por të gjitha janë të pjesshme dhe nuk janë në të gjitha gjuhët. Sipas saj "rezervimi.com" do ta plotësoj këtë zbrazëti.
Ndërsa Ekrem Tahiri nga Pr Solutions i cili prezantoi ueb-faqen e platformës theksoi se platforma "rezervimi.com" synon dixhitalizimin e rezervimeve në Kosovë dhe e bën akomodimin shumë më të lehtë dhe më të qasshëm.
Ai po ashtu tha se kjo platformë i ka të regjistruara afro 100 hotele apo biznese ku po ashtu mbledh edhe restorantet, si dhe destinacionet dhe atraksionet e ndryshme në një adresë. Tahiri njoftoi se në të ardhmen do të shtohet edhe numri i gjuhëve në këtë platformë të cilat aktualisht janë gjuha shqipe, angleze dhe ajo serbe, ku përveç kësaj në një të afërme të afërt do ju mundësojë vizitorëve edhe pagesa online përmes ueb faqes.
"Qëllimi i rezervimi.com është që ta promovojë turizmin në vendin tonë. Duke iu mundësuar vizitorëve por edhe bizneseve që t'i ofrojnë kërkesat edhe përmes teknologjisë sonë ta bëjmë më të lehtë këtë bashkëpunim në fushat e ndryshme të turizmit", tha Tahiri.
Ndërsa, menaxherja e projektit të PPSE-së dhe drejtoresha e Swisscontact në Kosovë, Argjentina Grazhdani, gjatë fjalës së saj theksoi ka shumë njerëz të interesuar për ta vizituar Kosovën posaçërisht qytetin e Pejës dhe përreth, duke shtuar se numri i turistëve është në rritje. Sipas saj të gjitha këto indikacione tregojnë që zgjedhja e kësaj platforme nga ana e tyre ka qenë me vend, sepse "ky është një sektor i cili është shumë inovativ në Kosovë."
"Sipas të dhënave që i kemi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në Kosovë çdo vit numri i mysafirëve nëpër hotele është duke u rritur 13 për qind. Do të thotë se ka një rritje graduale mirëpo që premton shumë dhe kërkon që aktorët e këtij tregu të marrin rolin e tyre dhe të vazhdojë kjo rritje në të ardhmen", tha Grazhdani.