Sibel Vezaj
14 Nëntor 2016•Përditësim: 14 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA)- Mijëra qytetarë sot morën pjesë në marshin protestues me moton “Drejtësi për Astritin” që u organizua nga një grup i qytetarëve të mbështetur nga aktivistët e shoqërive civile dhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Protestuesit kërkuan hetime të pavarura për vdekjen e Deharit, si dhe dorëheqjen e zyrtarëve përgjegjës për këtë rast, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesëmarrësit e protestës u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë dhe në mënyrë paqësore vazhduan drejt sheshit “Skënderbeu” , duke mbajtur pankarta me mbishkrime “Drejtësi për Astritin”, “Edhe unë jam Astrit”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”.
Duke iu drejtuar marshit protestues i cili ndodhej përballë Teatrit Kombëtar në Prishtinë, aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha u shpreh se edhe pse kanë kaluar më shumë se një javë nga vdekja e Deharit, askush ende nuk ka marrë përgjegjësi për këtë vdekje tragjike. Duke vënë në dukje se nuk është e rëndësishme që Astrit Dehari është një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Luzha u shpreh se çdo kush mund të ishte në vend të tij. Ajo shtoi se qytetarët nuk do të pajtohen me këtë padrejtësi dhe kërkoi dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në qoftë se ajo, sipas saj, nuk është në gjendje ta marrë përgjegjësinë që i takon.
“Ne nuk po paragjykojmë. Por dëshirojmë që vërtetë të besojmë se një sistem i paanshëm i drejtësisë mund të hetojë dhe vërtetojë se faji i kujt ka qenë ajo ngjarje e tmerrshme që ndodhi atë ditë. Njëkohësisht duke parë që krejt këto struktura që ende po janë aty të përzier nuk mund të kryejnë një hetim të pavarur e të paanshëm. Kërkojmë urgjentisht që të sigurohet një hetim i pavarur në mënyrë që të gjithë qytetarët ta kuptojmë të vërtetën”, tha Luzha.
Në protestë foli edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi. Ai u shpreh se sot është dita e nëntë prej vdekjes së Astrit Deharit dhe që deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat, as preliminar e as përfundimtar, përveç njoftimit zyrtar në pikën e obduksionit, se ai ka vdekur nga ndalimi i frymëmarrjes në mënyrë të dhunshme me mjete të forta.
Astrit Dehari, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ishte arrestuar pas sulmit ndaj Parlamentit të Kosovës dhe ndodhej në paraburgim për 68 ditë në burgun e Prizrenit. Ai ndërroi jetë disa ditë më parë në rrethana ende të paqarta. Sipas informacioneve të para të dalë nga autopsia, vdekja e Deharit ka ndodhur si pasojë e mungesës së frymëmarrjes.