Sibel Vezaj
18 Nëntor 2016•Përditësim: 18 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Një grup i nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës sot organizuan një marsh protestues për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth njëqind nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës sot marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt sheshit “Skenderbeu”, me pankarta dhe brohoritje "Pa drejtësi nuk ka qetësi", “Lironi aktivistët", "Drejtësi për Astritin", "Unë jam Astriti".
Molika Hajrizi, nxënëse e gjimnazit "Sami Frashëri" gjatë fjalimit të saj u shpreh se kërkojnë drejtësi për Deharin, i cili po ashtu ishte student i mjekësisë. Ajo shtoi se Dehari vdiq në burg, në një vend ku duhej të ishe shumë i siguruar. “Ne si pjesëtarë të popullit iu kemi bashkuar shoqërive civile dhe të gjithë popullit që kërkojnë drejtësi për Astritin. Kemi ardhur këtu që të japim përkrahje sidomos familjes Dehari dhe shokëve dhe shoqeve të Astrit Deharit”, tha Hajrizi.
Kurse Ditjon Fetahu, nxënës i gjimnazit filologjik “Eçrem Çabej” u shpreh se kërkojnë zbardhjen sa më të shpejtë dhe identifikimin e personave që kanë lidhje me këtë vdekje tragjike. “Sot solidarizohemi me familjen Dehari dhe jemi këtu çdo herë kur ka iniciativa të tilla. Lavdi për Astrit Deharin”, tha Fetahu.
Shega Konjufca, nxënëse e gjimnazit “Gjevdet Doda” theksoi se po kërkojnë drejtësi për vdekjen e Deharit dhe dorëheqjen e përgjegjësve dhe të zyrtarëve të institucioneve përkatëse.
Marshuesit u ndalën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku edhe zhvilluan një akt simbolik duke vendosur pankarta afër në të cilat ndodhej fotografia e të ndjerit dhe me mbishkrim “Drejtësi për Astritin”. Ndërkaq policët të cilët ishin prezentë nuk penguan këtë akt simbolik.
Në anën tjetër, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sot informoi opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të ndjerin Astrit Dehari.
Astrit Dehari, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ishte arrestuar pas sulmit ndaj Parlamentit të Kosovës dhe ndodhej në paraburgim për 68 ditë në burgun e Prizrenit. Ai ndërroi jetë disa ditë më parë në rrethana ende të paqarta. Sipas informacioneve të para të dalë nga autopsia, vdekja e Deharit ka ndodhur si pasojë e mungesës së frymëmarrjes.