Figen Shaban
09 Nëntor 2017•Përditësim: 10 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi “Forumin për barazinë gjuhësore në Kosovë” me qëllim të ngritjes së vetëdijes së institucioneve të Kosovës për rëndësinë e të drejtave gjuhësore, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se gjuhët janë ura lidhëse dhe është nevojë e të gjithëve që t'i përdorin këto gjuhë jo vetëm për shkak të obligimeve kushtetuese apo ligjore por për arsye se përveç shumë-kulturalizmit kjo ndihmon edhe ekonominë e vendit. Ai duke u bazuar në historinë tragjike të rajonit të Ballkanit tha se përmes gjuhës mund të shërohen plagët e së kaluarës.
Ai theksoi se në komunat ku jetojnë komunitetet jo shumicë si boshnjakët, romët dhe të tjerët t'u jepet mundësia këtyre komuniteteve që t'i përdorin të drejtat e tyre gjuhësore të cilat janë të përcaktuara me ligj.
Haradinaj duke theksuar se mbledhjet e qeverisë do të mbahen në dy gjuhët zyrtare në të njëjtën kohë tha se: “Qeveria ka themeluar një grup teknik që do të punojë në bashkimin e të gjitha njësive të ndryshme institucionale dhe zbatimin në kohë të dygjuhësisë, sepse është e rëndësishme që aktet qeveritare të përcillen me kohë në të dyja gjuhët”.
Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakica Kombëtare, ambasadori, Lamberto Zanier tha se elementi kyç i parandalimit të konfliktit gjuhësor është integrimi i suksesshëm i shoqërisë kosovare. Ai tha se të drejtat gjuhësore janë një pjesë shumë e rëndësishtme e kësaj.
"Zgjidhja thelbësore është që të garantohet qasja në institucione publike përmes avancimit të të gjitha gjuhëve që fliten. Një nga problemet kryesore është fakti kur ligjet janë të paqasshme, jo të plota apo komunitetet nuk kanë mundësi që t'i përdorin të drejtat e tyre gjuhësore në institucionet si policia, gjyqësori", tha Zanier.
Sipas tij, kjo shkakton një mosbesim ndaj këtyre institucioneve dhe dobëson shoqërinë në përgjithësi.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu tha se në aspektin historik shumëkulturalizmi dhe shumëgjuhësia ka qenë pjesë e realitetit kosovar dhe historikisht komunitetet të cilët jetojnë në qytetet e lashta të Kosovës si Vushtria, Prizreni, Gjilani dhe Prishtina kanë jetuar afër njëri tjetrit dhe kanë mësuar gjuhët e njëri tjetrit.
“Duke patur një histori kaq të pasur korniza ligjore në Kosovë është njëra nga më të avancuarat në Evropë sa i përket të drejtave dhe mbrojtjes gjuhësore. Kjo pasuri duhet t'i gëzojë njerëzit dhe duhet të promovohet”, tha Brathu.
Ai tha se tashmë në Kosovë gjuha boshnjake është gjuhë zyrtare në katër komuna po ashtu edhe gjuha turke në komunën e Mamushës duke theksuar se kjo reflektohet edhe tek fëmijët që edukohen në gjuhë të ndryshme.
“Mbi 2700 fëmijë ndjekin shkollat në gjuhën turke, 4000 të tjerë në gjuhën boshnjake. Sipas Organizatës joqeveritare 'Aktiv' 17 mijë nxënës mësojnë në gjuhen serbe”, tha Braathu.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç tha se çdo ditë qytetarët po hasin në probleme kur kanë nevojë për një shërbim në gjuhën serbe. Megjithatë, ai nënvizoi se ekziston një përkushtim serioz nga kryeministri i Kosovës se kjo çështje do të zgjidhet në mënyrë cilësore.
"Çdo institucion dhe çdo individ në institucione, nga niveli lokal në atë qendror duhet të marrin përgjegjësinë e implementimit të ligjit dhe është e nevojshme që në nivel lokal çdo qytetar të ketë mundësinë dhe të drejtën për të marrë një shërbim në gjuhën e vet. Gjuha shqipe dhe serbishtja janë gjuhët zyrtare në Kosovë dhe kështu duhet të jetë në çdo vend dhe në çdo kohë", tha Jevtiç.
Ndryshe, forumi do të shërbejë si platformë për përfaqësuesit e juridiksioneve dygjuhësore ose shumëgjuhësore për të ndarë përvojat e tyre në lidhje me të drejtat gjuhësore. Konkluzionet kryesore do të përfshihen në raportin e ardhshëm tematik të Misionit për dygjuhësinë, i cili ka për qëllim përmirësimin e zbatimit të ligjit për gjuhët.