Bekim Laci
01 Dhjetor 2015•Përditësim: 02 Dhjetor 2015
SHKUP (AA)- Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur sot në një takim sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim, siç thuhet në njoftimin zyrtar, presidenti Ivanov ka thënë se Republika e Maqedonisë vlerëson lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë nga OSBE-ja në shumë fusha, sidomos në atë të sundimit të ligjit, procesit zgjedhor bashkë me legjislacionin, si dhe duke mbështetur fushat siç është policia, gjyqësori dhe promovimi i marrëdhënieve ndëretnike.
Lidhur me sfidat aktuale të shtetit, më konkretisht për krizën me emigrantë dhe refugjatë, Presidenti Ivanov ka vënë në dukje se vetëm personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani mund të pajisen me leje për hyrje dhe transit përmes Maqedonisë.
Kabineti i presidentit Ivanov njofton se ai ka kërkuar shpërndarjen e pjesëtarëve të Frontex-it përgjatë kufirit greko-maqedonas dhe rritjen e koordinimit dhe komunikimit me policinë greke.
Presidenti i Maqedonisë dhe sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së poashtu kanë shkëmbyer opinione mbi situatën e sigurisë në vend dhe rajon.