Ali Cura
23 Nëntor 2020•Përditësim: 23 Nëntor 2020
Gjithsej 345 persona janë arrestuar dje në demonstratat antiqeveritare në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Olga Çemodanova, deklaroi se thirrja nga një rrjet social për "protesta të paautorizuara në mbarë vendin", ka mbetur pa përgjigje përveç në Minsk.
Ajo deklaroi se protestuesit shfaqën qëndrim agresiv në demonstratat në kryeqytetin Minsk dhe vuri në dukje se pjesëmarrësit e demonstratës bllokuan disa rrugë për kalimin e automjeteve dhe qytetarëve. Ajo tha se protestuesit aktivë të cilët nuk i ndaluan protestat e tyre pavarësisht paralajmërimeve të policisë u arrestuan.
"Dje u arrestuan 345 persona të cilët shkelën ligjin në protestat pa leje dhe këto persona do të mbeten në paraburgim deri sa të dalin para gjykatës", u shpreh Çemodanova.
Çemodanova gjithashtu njoftoi se janë sabotuar binarët e trenit që kalon nga rajonet Borisov, Krupsk dhe Dzerzhinsk, duke shtuar se ka filluar hetim në lidhje me rastin.
Ndryshe, pasi presidenti aktual Aleksandar Lukashenko shpalli fitore në zgjedhjet presidenciale më 9 gusht, në Bjellorusi filluan protestat në të gjithë vendin me pretendimin për "mashtrime në zgjedhje".
Protestuesit, numri i të cilëve është në rënie krahasuar me javët e mëparshme të protestave që vazhdojnë çdo fundjavë në vend, kërkojnë që presidenti Lukashenko ta braktisë postin e tij.