Sibel Vezaj
23 shkurt 2017•Përditësim: 24 shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Ministria e Integrimit Evropian dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë sot organizuan një konferencë për media, ku u prezantua fushata për informim rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe zbatimit të saj. Kjo fushatë ka për qëllim të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve të Kosovës sa i përket MSA-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të saj, ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj tha se përkundër asaj që mbi 93 përqind të popullatës janë pro anëtarësimit të Kosovës në BE, njohuritë e opinionit publik për MSA-në, e cila sipas saj është dokumenti I parë bazë që i hapë rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në BE, janë modeste.
“Në mënyrë që MSA-në ta nxjerrim nga letra dhe ta afrojmë sa më afër tek qytetarët, tek jeta dhe përditshmëria me të cilën ata jetojnë, në vazhdën e një mori fushatave që janë bërë si në nivel lokal, komunal ashtu edhe në nivele tjera të institucioneve tona, kemi vendosur që në bashkëveprim me UNDP-në ta prezantojmë edhe këtë fushatë e cila besoj do të jetë edhe më e qartë dhe më e afërt se cilat janë benefitet dhe dobitë që qytetarët tanë do t’i keni nga MSA-ja”, tha Ahmetaj.
Kurse shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se Bashkimi Evropian është partneri kryesor si dhe investuesi më i madh tregtar i Kosovës. Sipas saj MSA-ja ka instrumente të veçanta me të cilat krijon mundësi pune, lufton korrupsionin, forcon demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe rrit stabilitetin institucional dhe politik në shoqërinë kosovare. Ajo po ashtu tha se kjo marrëveshje mundëson qasjen e produkteve kosovare në tregun e BE-së me 500 milionë banorë.
Duke vënë në dukje se sa më shumë që Kosova bën implementimin e MSA-së, aq më e afër do të jetë drejt BE-së, Apostolova tha se “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një proces në të cilin çdo kush në Kosovë duhet të jetë i angazhuar dhe i përkushtuar derisa kjo marrëveshje të jetë e implementuar ashtu siç duhet. Kjo nënkupton se shumë çështje të cilat janë të rëndësishme për qytetarët, bizneset, studentët, fëmijët ose për stërgjyshërit, do të trajtohen dhe reformat e shumta do të gjejnë vendin e tyre."
Ndërkaq, përfaqësuesi rezident i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell theksoi mbështetjen e UNDP-së jo vetëm për Kosovën por edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai po ashtu vuri theksin në atë se populli i Kosovës duhet ta kuptojë rëndësinë e procesit të zbatimit të MSA-së, i cili tani sipas tij është një sfidë për këtë vend.
Ndryshe, fushata për informim rreth MSA-së do të zgjasë rreth 5 javë, ku gjatë kësaj kohe do të bëhet prezantimi i disa videoklipeve, broshurave dhe radio-mesazhe informuese që do të transmetohen në gjithë territorin e Kosovës.
Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 27 tetor 2015, në Strasburg. Ajo më pas u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 30 tetor 2015 dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 nëntor 2015. MSA vendos kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA) deri në anëtarësimin e plotë në BE.