Figen Shaban
05 Nëntor 2017•Përditësim: 05 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Drejtoria e Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB) në praninë e përfaqësuesve të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, institucioneve turke në Kosovë, si dhe dhjetëra studetëve organizoi një takim me kosovarët të cilët kanë përfunduar studimet në universitetet e ndryshme të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Para të pranishmëve, zvendës drejtori i YTB-së, Sayit Yusuf, i cili ka qenë pjesë e Projektit të Madh Studentor të Turqisë brenda Ministrisë Turke të Arsimit që nga viti 1993, bëri të ditur se më 25 nëntor në Stamboll do të organizohet një takim me studentë nga vende të ndryshme që kanë studiuar në Turqi, ku do të jetë prezent edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
“Të gjithë studentët që i njihja në atë kohë, sot janë individ të respektuar nëpër komunitetet e tyre si në Maqedoni, në Kosovë, në Azinë Qendrore dhe në secilin cep të Ballkanit”, tha Yusuf.
Ndërkaq, ambasadorja turke në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, theksoi se Turqia dhe Kosova janë dy shtete që kanë marrëdhënie shumë të veçanta dhe se popujt e këtyre dy shteteve janë mjaft të afërta. Ajo shtoi se takimi i sotëm dëshmon se kosovarët që kanë përfunduar arsimin e lartë në Turqi janë kontribues të rëndësishëm të këtyre marrëdhënieve.
"Ju jeni personat që i njihni të dy popujt, që i njihni ndjenjat e dy popujve dhe që keni bashkëvepruar me popujt e dy vendeve. Prandaj, ju jeni ata që do të kontribuoni më së miri në marrëdhëniet midis dy vendeve në dimensionin njerëzor, në dimensionin e diplomacisë kulturore dhe në dimensionin e ambasadorëve të nderit”, tha Kılıç.
“Rreth 95 mijë studentë nga 160 shtete të botës kanë përfunduar studimet në Turqi”
Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Punë Kulturore dhe Sociale pranë Drejtorisë së Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB), Memet Kılıç, njoftoi se tashmë ka filluar një program për personat që kanë mbaruar studimet në Turqi (Türkiye Mezunları) në vitin 2017. Ai theksoi se me anë të këtij programi do të organizojnë takime të këtilla në shtete të ndryshme të botës dhe se do të punohet në themelimin e shoqatave të studentëve në të gjitha këto vende.
Ai poashtu bëri të ditur se aktualisht rreth 95 mijë studentë nga 160 shtete të ndryshme të botës kanë përfunduar studimet në Turqi.
“Qëllimi i këtij programi që e kemi nisur sivjet është që të kemi kontakt përsëri me studentët tanë dhe të kemi takime të këtilla çdo vit me ndihmën e ambasadave tona, të themelojmë shoqatat e studentëve të Turqisë në shtetet përkatëse. Sivjet kemi organizuar takime me studentë në afro 35 shtete dhe kemi përfunduar themelimin e shoqatave të tyre në afro 20 shtete të botës”, tha Kılıç.
Në takim ishte i pranishëm edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, i cili theksoi se duhet të mbahen takime të këtilla dhe të themelohen edhe shoqatat e studentëve, me qëllim që, siç tha ai, krijohet një afërsi mes vendeve të Ballkanit dhe Turqisë.
“Ata ndihmuan që ne të jemi këta persona duke hapur dyert e universiteteve dhe familjeve të tyre. Po e shoh që ky projekt e ka arritur qëllimin me kontributin e të gjithë neve si individ të dobishëm që jemi duke i shërbyer Kosovës sonë në rend të parë, pastaj edhe atdheut tonë Turqisë”, tha Damka.