Sibel Vezaj
15 Korrik 2017•Përditësim: 15 Korrik 2017
PRIZREN (AA)- Me rastin e përvjetorit të parë të tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi nga organizata terroriste FETO, në Prizren u organizua program mevludi kushtuar dëshmorëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në programin e mevludit të organizuar në Xhaminë Sinan Pasha në Prizren nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren dhe zyra e Dijanetit të Turqisë, pas namazit të akshamit qytetarë të shumtë iu bashkuan leximit të mevludit dhe duave të bëra në emër të dëshmorëve të 15 korrikut.
Gjatë fjalimit të tij kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha, tha se populli i Kosovës edhe një vit më parë në natën e tentativës për puç ka bërë dua, ka falur namaze deri në orët e mëngjesit, dhe se ka derdhur lot së bashku me popullin e Turqisë.
“Ne u takuam në dua që Turqia, e cila është shpresa e vetme e gjithë botës islame, të mos bie. Dhe elhamdyrillah fitoi vullneti i popullit. Kjo ka treguar se populli, duatë dhe rezistenca janë mbi të gjitha”, tha Berisha.
Pas leximit të mevludit qindra qytetarë, së bashku me ministrin në largim të Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar, deputetët turq të parlamentit të Kosovës Fikrim Damka dhe Müferra Şinik, myftiu i Prizrenit, Besim Berisha dhe përfaqësuesit e shoqërive civile marshuan nga xhamia e Sinan Pashës e cila ndodhet në qendër të qytetit drejt Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, ku për nder të dëshmorëve vendosën lule.