Ivana Ramadanova
18 Nëntor 2016•Përditësim: 19 Nëntor 2016
SHKUP (АА) – Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë (PSP) ka nisur një hetim të ri me ermin “Target”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për mediat, PSP sqaroi se në kuadër të këtij hetimi janë përfshirë më shumë persona të dyshuar nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të cilët akuzohen se nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme kanë përgjuar më së paku 4.286 numra telefoni pa pasur urdhër gjyqësor për një veprim të tillë, ndërkohë që në mesin e të përgjuarve ka pasur politikanë, biznesmenë dhe gazetarë.
“Në bazë të provave që posedojmë, i dyshuari numër një ka pasur pozicion udhëheqës në DSK dhe ka vepruar në atë mënyrë që përveç numrave të politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve, ka përgjuar edhe numrat e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Provat flasin se përmes sistemit të DSK-së për ndjekje të komunikimeve, në periudhën 2008 - 2015 në mënyrë të paligjshme janë përgjuar më së paku 4.286 numra të telefonit. Për këto numra nuk është lëshuar urdhër gjyqësor për ndjekje”, deklaroi prokurorja Fatime Fetai.
Fetai shtoi më tej se është ndjekur komunikimi i së paku 1.541 numrave të telefonit si në kohën para lëshimit të urdhrit gjyqësor, por edhe pas asaj periudhe, për çka i dyshuari i parë ka dhënë urdhrat për futje në sistem të përgjimit të politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve.
Prokurorja Fetai tha më tej se e dyshuara e tretë në procedurën hetimore, e punësuar në sektorin e DSK-së, ka përcjellur numrat e telefonit të cilët është dashur të përgjohen, por pa pasur fare urdhër të gjykatës, ndërsa të dyshuarit e tjerë kanë bërë transkriptimin e materialeve të përgjuara.
"Veprimet e tilla janë vërejtur nga një person i punësuar në DSK i cili ka marrë një pjesë të transkriptit dhe audio regjistrimeve të ndjekura në mënyrë të paligjshme. Ai ja ka dhënë një personi tjetër i cili ja ka dhënë pastaj personit të tretë i cili të njëjtat ia ka dërguar liderit të një partie politike”, tha Fetai.
Sipas saj, i dyshuari i dytë ka organizuar dhe ka koordinuar përgjimin e paligjshëm të komunikimeve, ndërsa në kompjuterin e tij ka futur dhe dëgjuar bisedat telefonike që nuk kishin asnjë urdhër të gjykatës.