Admir Fazlagikj
28 Nëntor 2017•Përditësim: 28 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Partia opozitare VMRO-DPMNE organizoi protesta kundër arrestimit të sotëm të disa personave të cilët Prokuroria Themelore Publike i akuzon për veprën penale "kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë", në lidhje me ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, në mesin e të cilëve ka deputetë aktualë dhe ish-ministri i Brendshëm Mitko Çavkov, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas thirrjes së kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në orët e pasdites filloi protesta para Gjykatës Penale ku u tubuan rreth njëqind persona të cilën në mënyrë të qetë brohoritnin "Maqedonia” dhe "Liri, lir", duke kërkuar nga gjykata lirimin e të ndaluarve.

Para se t'u bashkohej qytetarëve përpara Gjykatës, në një paraqitje televizive për opinionin Gruevski kërkoi lirim të menjëhershëm të të arrestuarve. "Ky terror ka për qëllim të shpërqendrojë opinionin dhe të hapë rrugë për ndryshimin e emrit, gjuhës dhe identitetit të shtetit", tha Gruevski.
Ndërkohë qytetarët që protestuan, thanë se edhe në ditët në vijim do të dalin në protesta për të kërkuar drejtësi.
Zyra e Prokurorit Publik për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, pas shqyrtimit dhe analizimit të provave të tubuara lidhur me zhvillimet në Kuvend më 27 prill, njoftoi se ka kryer procedurën e hetimit paraprak.
Pas analizave të bërë dhe shqyrtimit të provave Prokuroria Publike solli një vendim të fillojë procedurën hetimore kundër tridhjetë e gjashtë personave, të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, që është e dënueshme në bazë të nenit 313 nga Kodi Penal.