Sibel Vezaj
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit thuhet se, “Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës”.
Duke theksuar se “dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, qeveria e Kosovës fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit për zbardhjen e rastit.
Njëkohësisht, Qeveria e Kosovës kërkon nga mekanizmat e sigurisë që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.
Lideri i nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri këtë mëngjes.