Figen Shaban
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Lideri i serbëve të veriut Oliver Ivanoviç ka vdekur pasi që është qëlluar me armë zjarri para zyrës së tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Avokati i Ivanoviçit, liderit të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Nebojsha Vlajiç, ka konfirmuar për AA se Oliver Ivanoviç iu nënshtrua plagëve të rënda që mori nga një armë zjarri në pjesën e sipërme të trupit me ç'rast ka vdekur.
- Policia e Kosovës jep detaje lidhur me vrasjen e Ivanoviçit
Policia e Kosovës njofton se mbetet e përkushtuar për zbardhjen sa më parë të rastit të vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në një komunikatë me shkrim Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e liderit të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç.
“Rreth orës 08:10 minuta në rrugën 'Sutjeska' në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të Oliver Ivanoviç, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës. Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij”, njofton Policia e Kosovës.
Në njoftim thuhet se njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe se hetimet janë në vazhdim e sipër.
“Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore”, thuhet më tej.
“Gjithashtu, rreth orës 09:15 minuta, në rrugën 'Vojvode Putnika' në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës 'Opel Astra', pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes. Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të policisë është informuar prokurori i shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje”, thuhet më tej në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar për zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit apo personave të dyshuar para organeve të drejtësisë.
64 vjeçari Oliver Ivanoviç ishte një nga politikanët kryesorë në Kosovën veriore të dominuar nga serbët. Ivanoviç, i cili komandonte grupet paramilitare serbe në luftën në Kosovë, u dënua me 9 vjet burg në vitin 2016 për krimet e kryera gjatë luftës kundër civilëve shqiptarë. Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin në vitin 2017 dhe urdhëroi rigjykimin.