Sibel Vezaj
20 Nëntor 2018•Përditësim: 20 Nëntor 2018
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë pas votimit kundër për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Interpol-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional”, thuhet në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit.
“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Qeverisë së Kosovës “Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”.
Qeveria e Republikës së Kosovës më tej falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces. Duke njoftuar se Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj, në komunikatë thuhet se Kosova “në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”.
- Pacolli: Serbia bëri një luftë të pamëshirshme
Ndërsa zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikë së Kosovës, Behgjet Pacolli në një deklaratë për mediat nga Dubai, ku u mbajt Asambleja e 87-të e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpol) deklaroi se “Sot nuk ka fitues, nuk ka fituar as Kosova as Serbia, por mund të them se i vetmi fitues sot është e keqja. Më vjen shumë keq për punën tonë që e kemi bërë dhe sot kjo nuk u shpërblye”.
Duke u shprehur se është vështirë që në këto kushte të sigurohen 2/3-at e votave, ai tha se kësaj iniciative nuk i ka munguar përkushtimi dhe puna.
Duke përmendur anëtarësimin e sotëm të Vanuatus dhe Kiribatit në Interpol, Pacolli tha se “Ne e pamë se dy shtete nga Oqeania, dy shtete të vogla për të cilat ndoshta shumëkush nuk ka dëgjuar, u anëtarësuan pa asnjë problem dhe Kosova jo, oponenca është tepër e madhe, kundërthëniet janë të mëdha dhe Serbia siç e patë bëri një luftë të pamëshirshme, me të gjitha mjetet në disponim kundër anëtarësimit të Kosovës. Ne na mbetet që të jemi konstruktiv dhe t’i japim rëndësi shumë të madhe dialogut. Ne duhet të krijojmë perspektivë për qytetarët e Kosovës, për rininë tonë, duhet të krijojmë paqe, t’ua heqim barrën të rinjve tanë dhe ata të ecin përpara bashkë me kolegët e vetë evropianë. Unë e konsideroj se nuk duhet të ndalemi, ne duhet të angazhohemi edhe më tepër që të arrijmë deri paqja me Serbinë dhe çdo gjë do të jetë sigurisht më e lehtë”, tha ai.
Pacolli më tej tha se do të jetë vështirë të arrihet deri te lista siç është votuar, por theksoi se kanë vërejtur që shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën kanë kontribuar dhe votuar pro Kosovës, por që ka pasur edhe shtete të cilat e kanë njohur dhe kanë abstenuar.
Kujtojmë se sot Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.