Senita Şeherçehayiç
20 Nëntor 2018•Përditësim: 20 Nëntor 2018
BEOGRAD (AA) – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se rezultati i votimit të sotëm në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, në të cilën Kosova nuk u pranua në anëtarësinë e kësaj organizate, për Serbinë është shumë i mirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për pranimin në anëtarësinë e INTERPOL-it nevojiten dy të tretat e shumicës së anëtareve të kësaj organizate, ndërsa siç theksoi Vuçiç, “për pranimin e Kosovës nuk votoi as shumica e thjeshtë”.
“Kjo flet se Serbia ka forcuar pozitën e saj nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, nuk duhet të jemi euforikë. Ky është suksesi i një vendi të vogël që nuk duhet ta bazojë suksesin e vet në kundërshtime dhe inate, por në një qasje racionale, të mendojë për kompromis dhe përparim ekonomik dhe kjo mundësi nuk duhet të përdoret për të poshtëruar dhe degraduar anën e Prishtinës”, tha ndër të tjera, Vuçiç në fjalimin e tij pas rezultateve të shpallura të votimit të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it në Dubai, ku Kosova nuk u pranua në anëtarësimin e kësaj organizate ndërkombëtare.
Ai tha se është krenar për betejën e vendit të tij. Vuçiç falënderoi të gjithë që kanë votuar “kundër” anëtarësimit të Kosovës si dhe të atyre që ishin “të përmbajtur”, duke thënë se nuk dëshiron të veçojë asnjë vend.
Vuçiç tha se Serbia do të punojë me "76 vendet që votuan në raundin e parë për", duke shtuar se dëshira e tij është të zhvillojë miqësi dhe kompromis me shqiptarët, por ai tha se "Serbia nuk është një vend që është i lehtë për të poshtëruar dhe shtypur".
"Ne kurrë nuk do të harrojmë miqësinë dhe mbështetjen e vendeve që na kanë ndihmuar", tha presidenti serb.
Ai shtoi se nga të gjitha vendet që Serbia llogariste të abstenonin në votim, vetëm një votoi "për" dhe ai ishte Paraguaji.
"Ne zhvilluam bisedime me udhëheqjen e këtij shteti por Paraguaji, për fat të keq, votoi kundër nesh", tha Vuçiç duke shtuar se Serbia do të vazhdojë të bisedojë me Paraguajin.
Në Asamblenë e Përgjithshme të 87-të të INTERPOL-it të mbajtur në Dubai, kur votoi mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, nuk u sigurua shumica e dy të tretave të votave, me çka Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e INTERPOL-it.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL edhe në vitet 2010, 2015 dhe 2017.