Admir Fazlagikj
05 Shtator 2017•Përditësim: 06 Shtator 2017
SHKUP (AA) - Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) sot në Shkup po mbahet një konferencë rajonale në të cilën marrin pjesë organet rregullatore të mediave nga Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Kroacia dhe Sllovenia, e cila ka për qëllim nxjerrjen e rekomandimeve të cilat do ta përmirësonin punën e përditshme të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një prononcim për mediat, drejtori i ASHMAA-it, Zoran Trajçevski, tha se 20 vjet nga themelimi, mund të thuhet se institucioni të cilin e drejton ka kryer me sukses misionin që ka.
“Roli i institucionit më shumë vërehet në kohë zgjedhjesh. Gjatë të gjitha proceseve nga viti 1997 e këndej, Agjencia ka dalë me raporte të cilat janë cituar, të cilat në 99 për qind të rasteve kanë korresponduar me raportet e OSBE-së, që do të thotë se ka kryer punën me sukses. Shpeshherë këto raporte nuk janë mirëpritur nga pushteti dhe opozita, por është shenjë e punës së kryer në përputhje me rolin që ka në shoqëri”, tha Trajçevski, i cili u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi rajonal.
Marija Stojanova nga Këshilli për Media Elektronike i Bullgarisë, tha se kjo është vizita e parë zyrtare e tyre në Maqedoni, për të shtuar se shpeshherë funksioni kontrollues i tyre ngatërrohet me atë rregulator, që sipas saj është gabimisht. “Detyra jonë është të kontrollojmë përmbajtjen që prodhojnë mediat, që publiku të ketë mundësi të marrë informacione të sakta dhe të verifikuara në përputhje me standardet gazetareske, etike dhe morale", tha ajo.
Milan Todoroviç nga trupa rregulatore e Serbisë, shpreson që kjo konferencë të rezultojë me rekomandime të cilat do të përmirësojnë punën e tyre.
“Këto shkëmbime të përvojave janë të paçmueshme, sepse ne këtu ndajmë përvoja, pikëpamje, bashkëpunojmë me të gjithë rregullatorët përmes të cilëve ne jemi të pranishëm, sepse bashkëpunojmë përmes projekteve të ndryshme të mbështetura nga sektori i OJQ-ve, delegacioni i BE-së dhe Këshilli i Evropës”, tha ai.
Në kuadër të konferencës së sotme rajonale të organeve rregullatore për median, do të diskutohet në temën "Pluralizmi i qëndrimeve në media gjatë proceseve zgjedhore - rregulloret dhe praktikat", si dhe tema të tjera të rëndësishme nga të cilat duhet të dalin përfundime që do të zbatohen nga organet rregullatore të mediave.