Besar Ademi
08 Nëntor 2016•Përditësim: 09 Nëntor 2016
SHKUP (AA) – Asociacioni qytetar MOST në kuadër të projektit “Udhërrëfyes drejt reformave demokratike” në Shkup organizoi konferencë mbi “Ndarjen e shtetit nga partitë politike”, ku ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë diskutuan vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me ndarjen e shtetit nga partitë politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i konferencës është që përmes diskutimeve të vlerave, standardeve dhe parimeve ndërkombëtare, të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe administratës publike për rëndësinë e ndarjes së shtetit prej partive politike.
Sipas kryetarit të Asociacionit MOST, Darko Aleksov, kjo konferencë është fillim i një fushate që në ardhmen do të adresojë dhe informojë qytetarët mbi çështjen e ndarjes së shtetit prej partive politike, e cila siç tha ai, është një vlerë dhe parim i standardeve ndërkombëtare.
“Për të gjithe ne duhet të jetë e qartë se demokracia, barazia dhe respektimi i të drejtave njerëzore janë pjesë e vlerave themelore mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian, ndërsa ne si shtet sigurisht që luftojmë drejt Bashkimit Evropian. Për t’u arritur kjo, interesat e partive politike nuk duhet të përzihen me interesin publik dhe atë të shtetit”, deklaroi Aleksov.
“Nuk është mirë të pranohet si normale punësimi përmes aktivizmit politik”
Ndërkaq, gjykatësja në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë, Natasha Gaber-Damjanovska, theksoi se në gjykatë më së tepërmi janë ankuar persona në diskriminimin e marrëdhënieve të punës, shumica e të cilëve janë pjesëtarë të partive opozitare apo nuk i përkasin asnjë partie politike.
“Nuk është mirë kjo që publiku është mësuar ta pranojë si normale atë që gjasat më të mëdha për një vend pune janë përmes aktivizmit politik apo anëtarësim në parti politike. Kjo konsideroj se është e papranueshme dhe është në kundërshtim me kushtetutën dhe korpusin e ligjeve që kanë të bëjnë me këtë materie”, tha Demjanovska.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i zyrave të fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë dhe Shkup, Frank Hantke, theksoi se shumica e vendeve të Ballkanit shkojnë në sisteme autokrate dhe i humbin parimet demokratike. Sipas tij, nëse qytetarët nuk kanë besim në Qeverinë dhe Parlamentin e vendit, në atë shtet nuk ka demokraci.
Hantke foli edhe në lidhje me financimin e partive politike, duke marrë shembull shtetin e Gjermanisë. Ai tha se çdo parti politike është e obliguar që të publikojë çdo të dhënë në lidhje me financat dhe buxheti i saj të jetë transparent.
“Gjermanët nuk janë më pak të korruptuar nga ballkanasit, por kontrolli është më i madh dhe më i mirë. Nuk duhet të mendojmë se ballkanasit kanë diçka në gjenet e tyre. Korrupsioni është përhapur në mbarë botën dhe theksi është në atë se sa është i fuqishëm kontrolli dhe vullneti për vet-kontroll. Këtu është dallimi dhe nuk është në mentalitetin apo në diçka të ngjajshme”, tha Hantke, sipas të cilët partitë politike në Maqedoni janë më të pasura se një parti politike në Gjermani.
Ai theksoi se ajo që mungon në vendet e Ballkanit është pagesa për anëtarësim në parti politike, gjë e cila nuk praktikohet në këto vende. Ai shtoi se në Gjermani dhe vendet tjera evropiane, pagesa për anëtarësim është burimi më i madh i financave të partisë.