Sibel Vezaj
08 Nëntor 2016•Përditësim: 08 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, me ftesë të drejtorit ekzekutiv të Interpol-it po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të 85-të të Interpol-it e cila po i zhvillon punimet në Bali të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga MPB-ja thuhet se në punimet e ditës së sotme të AP të Interpol-it, pikë e veçantë ishin kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese në këtë organizatë.
“Këtë vit asambleja po diskuton vetëm për kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese, ndërsa varësisht nga kriteret që do të vendosen votimi do të bëhet gjatë asamblesë së ardhshme të Interpol-it, që do të mbahet në nëntor të vitit të ardhshëm në Pekin”, thuhet në njoftim nga MPB.
Ndërkaq, në fjalimin e tij para delegatëve të organit më të lartë të Interpol-it, ministri Hyseni paraqiti në detaje arsyetimin e kërkesës për anëtarësim, duke theksuar shkallën e lartë të përgatitjes profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera për rend e ligj.
Duke bërë ftesë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të marrë trajtimin e merituar, Ministri Hyseni ka theksuar se Policia e Kosovës është policia më e trajnuar dhe më profesionale në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është hera e parë që Republika e Kosovës përfaqësohet si shtet dhe në këtë nivel në AP të Interpol-it.