Besar Ademi
28 Shkurt 2017•Përditësim: 01 Mars 2017
SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë të Shkupit edhe sonte marshuan rrugëve të Shkupit për të shprehur revoltën e tyre kundër siç thonë ata, “pranimit të platformës shqiptare nga lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev”, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit e organizuar nga Shoqata “Për Maqedoni të bashkuar”, thonë se bëhet fjalë për ruajtjen dhe mbrojtjen e unitetit të Maqedonisë, si dhe “për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, e cila është rrënja e mbijetesës dhe identitetit të popullit maqedonas”.
Ata kërkojnë që partitë politike bashkarisht të angazhohen dhe të përgatisin një platformë të përbashkët për Maqedoni të bashkuar me të gjitha përkatësitë etnike që jetojnë në këtë vend dhe të refuzojnë platformat e përgatitura, sipas tyre, nga vendet e huaja. Njëkohësisht, protestuesit kërkojnë nga partitë politike, veçanërisht ata maqedonase, të mos votojnë në Kuvend Ligjin për dygjuhësinë në tërë territorin e Maqedonisë, gjë e cila sipas tyre, do të drejtojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj.
Protesta filloi nga godina e Qeverisë së Maqedonisë, duke vazhduar drejt selisë së VMRO-DPMNE-së dhe përfundoi para godinës së Kuvendit, ku u mbajtën fjalime kundër ndryshimit të Kushtetutës, emrit dhe rrënjëve të shtetit. Gjatë shpërndarjes së protestuesve, disa gazetarë u goditën nga persona të panjohur.
Organizatorët e protestës, mbrëmë paralajmëruan se do të protestojnë çdo ditë deri sa të përmbushen kërkesat e tyre dhe të zgjidhet kriza aktuale politike që e ka përfshirë vendin. Ndryshe, përveç se në qytetin e Shkupit, protesta me të njëjtat kërkesa janë mbajtur edhe në Manastir, Prilep, Shtip dhe Kërçovë.
E ashtuquajtura platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësim e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët e partive politike shqiptare zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re në Maqedoni, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.