Figen Shaban
01 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
PRISHTINË (AA) – Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës me mbështetjen e projektit të binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian, sot prezantoi fushatën vetëdijësuese për parandalimin e migrimit të parregullt. Pos tjerash, në kuadër të kësaj fushate është paraparë edhe gara e prezantimit të fotografive përmes mediave sociale, ku qëllimi i saj është të shihen rezultatet e ndërgjegjësimit të qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni gjatë fjalimit për prezantimin e fushatës “Fuqizimi i institucioneve të Kosovës, në menaxhimin efektiv të migrimit”, kujtoi se dy vite më parë ka ndodhur një shpërthim i migracionit të paligjshëm të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së, sidomos drejt zonës Shengen. Por sipas tij, kjo periudhë e shkurtë kohore është vënë nën kontroll.
“Ne jemi ata që e kemi për obligim t’ua shpengojmë qytetarëve se migrimi i paligjshëm është i paligjshëm dhe çdo gjë e paligjshme nuk guxon të ndodhë, sepse në rend të parë lëndon interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Hyseni.
Kurse shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se gjatë vitit 2015 rreth 70 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil prej shteteve të BE-së. Duke theksuar se ky numër ka qenë shumë më i ulët në vitin 2016, Apostolova tha se sot ende rreth 11 mijë qytetarë kërkojnë azil nga shtetet evropiane.
Ndërkaq, Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Wiliems tha se Holanda dhe BE-ja kanë punuar që Kosova të ketë një tranzicion më të lehtë, duke informuar publikun për migrimin e paligjshëm. Ajo vuri në dukje se problemet ekonomike kanë shtyrë që qytetarët t’i provojnë mënyrat ilegale të migrimit. Sipas saj qytetarët duhen të jenë të vetëdijesuar dhe informuar se sa po punohet për përmirësimin e standardeve ekonomike në shtetin e tyre.
Në kuadër të kësaj fushate janë paraparë disa aktivitete si transmetimi i video dhe radio mesazheve, si dhe mbështetja e fushatave të ndryshme në rrjetet sociale.
Financimi i kësaj fushate është bërë nga BE-ja, ku kjo e fundit ka kontribuar me 50 mijë euro, ndërsa Qeveria e Holandës me 15 mijë dhe ajo e Belgjikës me 5 mijë euro.