Besar Ademi
16 Mars 2017•Përditësim: 17 Mars 2017
SHKUP (AA) – Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” e mbështetur nga mijëra qytetarë, edhe sonte vazhduan me protestat e tyre të cilat filluan që nga data 27 e muajit të kaluar kundër platformës shqiptare, si dhe në mbështetje të presidentit Gjorge Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë kreun e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) Zoran Zaev për të formuar qeverinë e re të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Si zakonisht, ata në shenjë proteste u tubuan para godinës së Qeverisë së Maqedonisë, për të vazhduar drejt Kuvendit të Maqedonisë, nga ku organizatorët apeluan që të mos pranohet platforma shqiptare, sipas tyre “e përgatitur nga Tirana zyrtare me anë të së cilës synohet të dëmtohet karakteri unitar, sovraniteti dhe pavarësia e Maqedonisë”.
Edhe pse organizatorët vazhdimisht apelojnë që në protestë të mos shfaqen simbole etnike apo kombëtare, nuk mungojnë brohoritjet dhe simbolet nacionaliste. Ndërkohë, protestuesit platformën shqiptare e konsiderojnë si pengesë për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin.
Marshi protestues i cili kaloi përmes Zyrës popullore të Presidentit Ivanov në shenjë mbështetjeje të vendimit të tij, përfundoi në mënyrë paqësore para Kuvendit të Maqedonisë. Organizatorët kërkojnë të mos pranohet platforma shqiptare dhe të mos pranohet përdorimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.
Ndërkohë, protesta të këtilla me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë.
Ndryshe, protestat e inicuara nga kjo iniciativë filluan nga 27 shkurti i këtij viti, kur kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ia dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ndërsa presidenti Ivanov pas dy ditësh të njëjtën e refuzoi duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocionon për platforma të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.
Më herët, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit presidenti Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili në afatin kohor prej 20 ditësh nuk arriti të formojë shumicë parlamentare, pas së cilës presidenti Ivanov i thirri në konsultime liderët e partive politike që morën mandate në Kuvendin e Maqedonisë dhe u kërkoi dëshmi për shumicë parlamentare.
Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.