Sibel Vezaj
17 Janar 2018•Përditësim: 18 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiç, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes llogarisë së tij në rrjete sociale, presidenti Thaçi ka bërë të ditur se gjatë kësaj bisede telefonike kanë trajtuar çështjet e ndryshme të interesit të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
“Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet të dy presidentëve, ishte edhe vrasja e djeshme e kryetarit të Iniciativës Qytetare 'Liria, Demokracia, Drejtësia' (SDP), Oliver Ivanoviç. Lidhur me këtë çështje, presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti Thaçi poashtu ka theksuar se organet kompetente të Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi, të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çoj drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.
Gjatë bisedës të dy presidentët kanë theksuar domosdoshmërinë që t'u jepet kohë e mjaftueshme organeve kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur.
“Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryerësve të kësaj vrasjeje, theksuan të dy presidentët”, njofton Thaçi.
Kujtojmë se udhëheqësi i Iniciativës Qytetare "Liri, Demokraci, Drejtësi", Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e ditës së djeshme nga të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës. Pas kësaj pala serbe kishte anuluar takimin në Bruksel, me të cilin ishte planifikuar që të vazhdojë procesi i bisedimeve mes ekipit nga Prishtina dhe atij nga Beogradi.