Sibel Vezaj
10 Maj 2017•Përditësim: 10 Maj 2017
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë të publikuar nga Presidenca e Kosovës bëhet e ditur se pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë.
Ky dekret ka hyrë në fuqi menjëherë me nënshkrimin e presidentit Thaçi.
Ndryshe, shpërndarja e Kuvendit të Kosovës erdhi pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë, ku me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim u votua pro rrëzimit të Qeverisë në krye me Isa Mustafën. Me këtë Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas rënies së Qeverisë ose vetshpërbërjes së Kuvendit.