Sibel Vezaj
03 Shkurt 2017•Përditësim: 03 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin ka biseduar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca bëhet e ditur se gjatë këtij takimi presidenti Thaçi ka vlerësuar lart punën e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se me përkushtimin e tyre kanë arritur që të jenë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë.
“Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se aspirata e vetme e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe NATO.
Presidenti Thaçi dhe Sekretari Stoltenberg biseduan edhe për angazhimin e autoriteteve kosovare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për dialogun me Serbinë dhe raportet fqinjësore me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg sot ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.