Andelija Stojkovic
03 Shkurt 2017•Përditësim: 04 Shkurt 2017
BEOGRAD (AA) – Kryeministri malazez Dushko Markoviç sot pas takimit me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd vlerësoi se raportet në mes të dy vendeve janë më të mirat në 20 vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Marrëdhëniet ndërshtetërore janë më të mira në 20 vitet e fundit dhe nuk dua të fsheh vlerësimin tim për përpjekjet dhe angazhimin e bërë nga ana e kryeministrit të Serbisë", tha Markoviç.
Ai vlerësoi se në rajon "po dëgjohen zëra që mund të rrezikojnë atë që është bërë".
Ai tha se e mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se Mali i Zi është i gatshëm që të kontribuojë në këtë dialog, sepse siç tha "dialogu është diçka që nuk ka alternativë".
Në pyetjen se si ndihen serbët, për shkak se Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës dhe për votimin që Kosova të bëhet pjesë e UNESCO-s, Markoviç ka thënë se një "numër i konsiderueshëm i malazezëve" nuk është i kënaqur me këtë vendim, por se "këto vendime nuk ishin kundër Serbisë, por ishin të lidhura me interesat e Malit të Zi".
Vuçiç shprehu mirënjohje se Markoviç për vizitën e tij të parë bilaterale si kryeministër, ka zgjedhur Serbinë, për çka Markoviç tha se nuk do të ishte e natyrshme po të mos ishte kështu.
Vuçiç foli për shkëmbimet tregtare dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
"Është e rëndësishme që të lidhim Serbinë dhe Malin e Zi, dhe për këtë është e rëndësishme që të kemi paqe dhe stabilitet. Një muaj konflikte dhe luftëra na kthejnë prapa 10 vite", ka thënë Vuçiç
Sa i përket anëtarësimit në NATO, Vuçiç ka thënë se Serbia respekton "vendimin sovran të Malit të Zi për anëtarësim në NATO, siç respekton Mali i Zi vendimin e Serbisë për të mbetur neutrale ushtarakisht".
Ndërsa Markoviç tha se Mali i Zi ka zgjidhur çështjen e demarkacionit me Kosovën, pasi marrëveshja e demarkacionit është nënshkruar dhe verifikuar nga Parlamenti malazez dhe tash fjalën e ka Parlamenti i Kosovës.
"Kemi siguruar dhe ruajmë çdo pëllëmbë të territorit tonë, nuk duam të marrim asnjë cantimetër të tokës së huaj dhe në këtë pikë jemi gjakftohtë", tha Markoviç.
Markoviç sot do të takohet edhe me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliç dhe kryetaren e Kuvendit të Serbisë Maja Gojkoviç, ndërsa nesër do të diskutojë me kryeministrin e Qeverisë krahinore të Vojvodinës Igor Miroviç dhe me diasporën e Malit të Zi në Vojvodinë.