Thaçi, takim për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim
- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar takimin e parë konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim, me zyrtarët e lartë shtetërorëSibel Vezaj
13 Shkurt 2017•Përditësim: 14 Shkurt 2017
PrishtinëPRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar takimin e parë konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim, me zyrtarët e lartë shtetërorë, si kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ambasadorët e korit diplomatik, pjesëtarët e shoqërisë civile si dhe klerikët fetarë të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij presidenti Thaçi tha se synimi për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim është krijimi i një mekanizmi mbështetës për dialogun e brendshëm në mes të komuniteteve në Kosovë dhe për të krijuar një bazë të shëndoshë të pajtimit. Ai bëri të ditur se ky komision nuk e zëvendëson asnjë mekanizëm të drejtësisë, e as të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por që do të jetë ndihmues për arritjen e marrëveshjeve të reja për pajtim ndërshtetëror Kosovë-Serbi.
Sipas Thaçit, brengat e të gjitha komuniteteve të këtij vendi janë të njëjta, krijimi i vendeve të reja të punës, standardi ekonomik, krijimi i një jete më të mirë për fëmijët e tyre, si dhe çështja e të pagjeturva nga lufta e fundit në Kosovë. Ai tha se shoqëria kosovare nuk mund të krijojë një të ardhme më të mirë nëse mbetet peng i së kaluarës.
“Pajtimi i parë dhe më i shpejtë shqiptaro-serb ka ndodhur mes famijarëve të të pagjeturve, duke kuptuar vuajtjen e njëri tjetrit, janë bërë gati si një familje që punon për një qëllim të përbashkët, të mbyllin kapitullin e familjarëve të tyre të pagjetur. Ky është shembulli më i mirë për të gjithë të tjerët se si duhet t’i kthejmë sytë kah e ardhmja, duke mbyllur kapitullin e së kaluarës”, tha Thaçi.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shprehu përkrahjen për këtë iniciativë, e cila sipas tij, ka për qëllim normalizimin dhe begatimin e bashkëpunimit dhe të dialogut si dhe forcimin e komunikimit ndërmjet të gjitha komuniteteve të Kosovës. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore në rajon dhe me Serbinë, dhe për forcimin e paqes dhe të sigurisë në vend.
“Ne mund t’i kapërcejmë këto situata vetëm në qoftë se e zbardhim qartë të kaluarën, nëse e marrim gjithë përgjegjësinë për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën, nëse i zbardhim të pagjeturit, vrasjet, dhunimet e shumta që kanë ndodhur gjatë luftës, dëmtimi i pronave dhe shkatërrimi i tyre, dëmet materiale dhe e gjithë kjo do të ndihmojë që ne ta qartësojmë një të ardhme të përbashkët”, tha Mustafa.
Kurse kryeparalamentari Veseli tha se plagët e luftës së fundit janë të mëdha dhe ende të pashërueshme, ku sipas tij, edhe 18 vite pas luftës, mijëra qytetarë të Kosovës nga të gjitha komunitetet, por me shumicë dërmuese shqiptare, vazhdojnë të jenë të zhdukur.
“Fatkeqësisht deri më sot shteti serb nuk ka marrë as përgjegjësi politike për të kërkuar të paktën falje. Përgjegjësit duhet të marrin përgjegjësi dhe të dalin para gjyqit, ndërsa shoqëria nuk guxon të mbetet peng i një zhvillimi të tillë. Institucionet përgjegjëse duhet t’i japin drejtim kësaj çështjeje me fakte në mënyrë që t’i japin shans qytetarëve për pajtim dhe për të ardhmen”, tha Veseli.
Në takim të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e korit diplomatik ndërkombëtar, kur përfaqësuesja Speciale e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie shprehën mbështetjen për krijimin e këtij komisioni. Ata theksuan rëndësinë e përfshirjes së të gjitha komuniteteve në procesin e pajtimit, si dhe të gjetjes së përgjegjësve së krimeve të luftës së fundit në Kosovë.